Të afërmit e Viktorjan Picakut, të riut 24-vjeçar që u ekzekutua me armë mbrëmjen e së mërkurës në Bari të Italisë, dyshojnë se pas kësaj ngjarjeje të rëndë fshihet një italian.

Për

tvklan.al

, ata rrëfejnë se pak ditë më parë, Viktorjani kishte ndërhyrë për të mbrojtur një vajzë, e cila po dhunohej nga një italian. Familjarët thonë se 24-vjeçari ishte gjendur aty rastësisht dhe kishte ndërhyrë për të shpëtuar të renë.

Por kjo, gjithnjë sipas familjarëve të viktimës, duket se nuk është pranuar nga italiani, i cili mbrëmjen e së mërkurës mori hak ndaj të riut, duke i marrë atij jetën.

Të afërmit e 24-vjeçarit thonë gjithashtu se kanë mësuar se një prej autorëve është vetëdorëzuar në polici, ndërsa tjetri është ende në kërkim.

Dy ishin personat që e qëlluan me dy plumba të riun me origjinë nga Mirdita. Ngjarja ndodhi në një shesh të mbushur me njerëz, përfshirë edhe fëmijë, në Corato të Barit.

Ata e qëlluan Viktorjan Picakun në kraharor dhe kokë, duke i marrë jetën.

Siç raportojnë edhe mediat italiane, në mesin e pistave të hetimit nga autoritetet atje, është edhe ajo e xhelozisë.

“Viktori nuk rezulton person me precedentë penalë dhe punonte në arë. Karabinierët e Trani, që po drejtojnë hetimet, nuk përjashtojnë asnjë pistë, megjithatë kryesorja është ajo e vrasjes për shkak të një vajze”,

shkruan media lokale Coratoviva.it.

Autoritetet kanë sekuestruar kamerat e sigurisë që ndodheshin në zonë, ndërsa gjatë natës janë marrë në pyetje disa persona, përfshirë miq e familjarë të viktimës.

Më herët,

tvklan.al

mësoi se 24-vjeçari kishte rreth një vit që kishte shkuar në Itali, në kërkim të një pune më të mirë.

//tvklan.al