“Zbardhja, e rëndësishme si për shqiptarët dhe për serbët”

Ky është nipi i Oliver Ivanoviç. Aleksandar bashkë me familjen janë nisur për t’u bashkuar me një marsh në nderim të xhaxhait të tij të ndjerë. Këtë marsh-protestë e drejtojnë ata që bëjnë protesta kundër pushtetit. Familja e Ivanoviç nuk komenton qëndrimet e individëve as në Kosovë e as në Serbi. Në emër të tyre, Aleksandar flet duke treguar se si ndihet familja, një pjesë e ndarë në ngjarjet ku merr pjesë pushteti, një në ato qytetare.

“Është një periudhë e vështirë pas nesh, dy vjet dhe hetimet ende qëndrojnë në një vend. Kemi parë vetëm një betejë në mes të Prishtinës dhe Beogradit. Prishtina tenton të tregojë që vrasja është kryer nga serbët, Beogradi të tregojë që Oliver u vra nga shqiptarët. Kjo është vetëm hedhje e përgjegjësisë. Ajo që familjen nuk e intereson është se çfarë feje apo ngjyre ka ky person, por të dalë para drejtësisë. Më e rëndësishme se kjo është se kush ka dhënë urdhër dhe për interesa të kujt është vrarë”.

Në këtë marsh kanë marrë pjesë edhe të djemtë e politikanit të ndjerë. Aleksandar thotë se Oliver nuk ka pasur armiq në jetë, por është vrarë për shkak të qëndrimeve të tij. Zbardhja e rastit është e rëndësishme edhe për shqiptarët dhe për serbët.  

“Oliver nuk ka qenë agresiv dhe në paqe dhe mënyrë civilizuese ka dhënë qëndrimet e tij dhe për këtë është vrarë. Është me rëndësi që të gjendet kush e ka bërë dhe ky mund të jetë një hap drejt paqes në Kosovë pasi prej 20 vjetësh kjo nuk po ndodh”.

Një vrasje që megjithatë nuk mendohej se ishte me motive etnike. Ishte krijuar ideja që ky rast do të zgjidhej shumë më shpejt. Por, tani kanë kaluar dy vite dhe për motivet familja nuk ka dyshim.

“Kjo është një vrasje absolutisht politike pasi ai është marrë vetëm me politikë. Oliver është vrarë për shkak të fjalëve të tij, qëndrimeve politike të cilat i ka mbrojtur. Ka qenë nën presion pasi ia kanë djegur zyrtar, makinën, i janë futur në shtëpi.

Por, besoj se me kohë kanë kuptuar që nuk mund të blihet, të frikësohet dhe që nuk e ul kokën para kërcënimeve dhe dhunës dhe dikush ka vendosur ta hesht me plumb”.

Vëllai i Ivanoviç dhe familjarët e tjerë ndihen emocionalë dhe thonë se e kanë të vështirë të flasin për vrasjen dhe për ngjarjet që e pasuan atë.

Tv Klan