Autoritetet kërkojnë ceremoni funerale të thjeshtë për kritikun e Kremlinit

Një javë pas vdekjes, trupi i Alexei Navalny i është kthyer nënës së tij. Autoritetet ruse kanë kërkuar një ceremoni private për kritikun e Kremlinit, ndërsa ende nuk është përcaktuar koha e funeralit. Trupi i figurës kryesore të opozitës ruse, Alexei Navalny i është kthyer nënës së tij. Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësja e tij e cila falenderoi mbështetësit që kërkuan kthimin e trupit të 47-vjeçarit.

Gjasat jane se ceremonia mortore e Navanyt pritet të jetë private për shkak të presionit të autoriteteve, të cilët e vendosën përballë dy mundësive, ceremoni të fshehtë ose varrim në zonën e përcaktuar për të burgosurit që ndërronin jetë sipas procedurës së institucionit të vuajtjes së dënimit. Nëna e Navalny, ka kaluar javën e fundit në qytetin afër burgut ku ai vdiq, duke u përpjekur fillimisht të konfirmonte vendndodhjen e trupit të tij dhe më pas duke kërkuar që t’i kthehej asaj.

Ajo nënshkroi një certifikatë vdekjeje që thoshte se ai kishte vdekur për shkaqe natyrore. Më herët, e veja e Navalny, Julia, akuzoi Vladimir Putinin se mbante “peng” trupin e burrit të saj të ndjerë dhe kërkoi lirimin e tij pa kushte. Ajo akuzoi sërish presidentin rus se qëndron pas vdekjes së bashkëshortit të saj.

Kremlini i ka mohuar akuzat, duke e quajtur reagimin perëndimor ndaj vdekjes “histerike”. Navalny vdiq më 16 Shkurt në një burg rus brenda Rrethit Arktik. Në Gusht 2020, ish-udhëheqësi i opozitës u helmua duke përdorur agjentin nervor Novichok nga një ekip vrasësish të mundshëm nga shërbimet sekrete ruse. I transportuar me avion në Gjermani, ai u shërua atje përpara se të kthehej në Rusi në Janar 2021, ku u burgos.

Klan News