Uniforma debutuese në Kupën e Botës Spanjë 1982 me çmim fillestar 65 mijë Dollarë

Vdekja e Diego Armando Maradona është parë nga shumë si një nga tragjeditë më të mëdha të botës së sportit në vitin 2020. Ndërkaq, të tjerët kanë menduar që pas vdekjes të tij të bëjnë biznes.

Portali “Gotta Have Rock and Roll.com” ka vendosur të nxjerrë në ankand fanellën me të cilën numri 10 debutoi në Kupën e Botës në Spanjë 1982.

Fanella zotërohet nga një gazetar, që si dhuratë mori edhe një dedikim nga Maradona, i cili nënshkruajti me fjalët “Me dashuri, Diego”.

Çmimi fillestar i fanellës është tejet modest për këtë relike fantastike, pasi vlen rreth 65 mijë Dollarë. Megjithatë, organizatorët besojnë se ajo mund të shitet për një ofertë prej 200 mijë Dollarë.

Maradona debutoi për herë të parë në Kupën e Botës të zhvilluar në Spanjë në vitin 1982 kundër Belgjikës. Kombëtarja e Argjentinës nuk arriti të marrë tre pikët, por në moshën 21-vjeçare, mesfushori arriti të bëj një paraqitje të shkëlqyeshme, çka ishte dhe nisja e një historie të bukur me topin.

Klan News