Artistja Billie Eilish, e njohur për stilin e saj të veçantë dhe paraqitjen karakteristike, ka tërhequr vëmendjen me një transformim të ri që ka habitur fansat.

Në disa fotografi të realizuara së fundi për një fushatë bizhuterish në bashkëpunim me markën John Hardy, këngëtarja u shfaq me një pamje më natyrale dhe grim më të lehtë, ndryshe nga imazhi që e ka karakterizuar ndër vite.

Ndryshimi ka nxitur reagime të shumta në rrjetet sociale, ku disa përdorues e kanë krahasuar me aktoret Emily Blunt, Emma Stone dhe Sarah Paulson. Ndërsa një pjesë e fansave mendojnë se transformimi lidhet me rritjen dhe kalimin e viteve, të tjerë besojnë se stili i ri i grimit është arsyeja kryesore që ajo duket kaq ndryshe.

Në videon e publikuar të enjten në Instagram, Eilish shfaqet me flokët e prerë edhe më shkurt, deri tek pjesa e qafës. Në postim, Billie shihet duke buzëqeshur teksa drejton makinën në një ditë me diell, duke tërhequr vëmendjen me pamjen e saj të freskët dhe ndryshimin e fundit në stil.

Billie Eilish, këngëtarja dhe kantautorja amerikane u bë e famshme që në adoleshencë me këngën “Ocean Eyes” dhe u dallua për stilin e saj unik muzikor dhe vizual. Gjatë karrierës së saj, ajo ka fituar çmime të shumta prestigjioze, përfshirë Grammy dhe Oscar, duke u bërë një nga emrat më të njohur të muzikës bashkëkohore.

/tvklan.al