MSH: Plani është bazuar në rekomandime ndërkombëtare. UFSH: Mos u tallni me ne

Ministria e Shëndetësisë i është përgjigjur në një letër zyrtare Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë, të cilët një ditë më parë kërkuan që të përfshiheshin në planin prioritar të vaksinimit.

Në letrën, e cila mban firmën e zv/ministres Mira Rakacolli thuhet se plani kombëtar i vaksinimit është hartuar nga ekspertë dhe specialistë në ISHP. Gjithashtu aty shtohet edhe fakti që është bazuar në rekomandimet ndërkombëtare në lidhje me vaksinimin.

“Në përgjigje të kërkesës suaj drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nëpërmjet së cilës kërkohet përfshirja e farmacistëve në grupet me prioritet në procesin e vaksinimit kundër Covid-19 ju bëjmë me dije se: Plani kombëtar i vaksinimit ndaj COVID është hartuar nga ekspertë, specialistë në Institutin e Shëndetit Publik në politikat e vaksinimit dhe është bazuar në rekomandimet ndërkombëtare në lidhje me vaksinimin. Vaksinimi ndaj Covid po kryhet sipas fazave dhe grupeve të përcaktuara në këtë plan. Duke iu falënderuar për mirëkuptimin”, thuhet në letër.

Por i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i UFSH-së, që nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale kërkon të dijë nga ministria se cilave rekomandime ndërkombëtare iu referohet. Sipas Urdhrit, në vende të zhvilluara, si Amerikë, Kanada, Angli dhe Gjermani farmacistët janë në ekipin prioritar të vaksinimit.

“Duam të dimë nga kjo Ministri, cilave rekomandime ndërkombëtare ju referohet saktësisht, pasi vende si Amerikë, Kanada, Angli, Gjermani farmacistin e kanë në ekipin prioritar për t’u vaksinuar, madje ata farmacistin dhe farmacinë, i shohin si profesionistë dhe institucione pjesëmarrëse në strategjinë e vaksinimit të popullatës”, thuhet në reagim.

Më tej në deklaratë thuhet se personat që kanë bërë politikat e vaksnimit në vendin tonë nuk duhet të tallen me farmacistët pasi gjithashtu edhe ata janë të parët në frontin e luftës antiCovid.

“Zotërinj që bëni “politikat” e vaksinimit në Shqipëri, ju nuk mund të talleni me farmacistët, ju thjesht po tregoheni të papërgjegjshëm në detyrimin që keni karshi mbrojtjes së shëndetit të tyre. Farmacistët janë në vijën e parë të përballimit të pandemisë, është detyrimi juaj t’i përfshini ata në planin prioritar të vaksinimit”./tvklan.al