Emisioni “Historia ime”, në Tv Klan solli një intervistë në Skype me farmacisten Pranvera Bitri.

Ajo shprehet se farmacia është ai sektori i shëndetësisë që është në vijën e parë të frontit në luftën me koronavirusin.

Pranvera Bitri: Patjetër farmacia është ai sektori i shëndetësisë, që është  në vijën e parë të frontit në luftën me koronavirusin, madje mund të them se jemi më të rrezikuar se mjekët sepse ndërsa mjekët pak a shumë e dinë nëse përballen me një pacient me koronavirus, ose me simptoma, ne nuk e dimë, çdo pacient është një kontigjent për t’u kontaminuar neve.

Bitri u shpreh se në krahasim me ditët e para kur u shënuan edhe rastet e para me koronavirus në vendin tonë, ka rënë fluksi nëpër farmaci.

Pranvera Bitri: Nga e hëna që u shpall rasti i parë me koronavirus, 3 ditët e para ka qenë një panik total, njerëzit kërkonin maska, dezinfektantë, alkoole, por edhe vitaminën C sepse dihet që ndihmon në rritjen e imunitetit. Ndërsa këto ditët e fundit, që është ndaluar dhe qarkullimii i makinave ka rënë dhe pak dhe fluksi dhe kërkesa për këto lloj produktesh.

Mirela Milori: Si është funizimi me maska dhe dorashka?

Pranvera Bitri: Maskat janë mungesë totale në Shqipëri, duke qenë së Kina ishte e para që u prek, bëri një tërheqje nëpër depo dhe nuk furnizohen fare nga Kina. Kurse doreza ka akoma, ka dezifektantë, ka alkool. Edhe doja të thoja diçka dhe për çmimet dhe abuzimet me çmimet. Se ne farmacistët akuzohemi se abuzojmë me çmimet, por do të thoja se nëse ka rritje të çmimeve është një reflektim i rritjes nga depo, jo nga vetëm farmacia apo farmacistët. Mund të ketë raste sporadike, por i ftoj instancat të hetojnë, por jo të sigmatizohet një grup i tërë profesionistësh të shëndetësisë në këtë aspekt.

Sipas saj, ruajtja e distancës nga njëri-tjetri është mjaft e rëndësishme, madje më tepër se përdorimi i maskave, dorashkave dhe dezifektantëve.

Pranvera Bitri: Ruajtja e distancës është më e rëndësishme sesa përdorimi i maskave, dorashkave apo dezifektantëve, sepse dorezat janë një përdorimëshe dhe nëse kryen një punë duhet t’i ndërrosh. Distanca nga personi në person është garanci më e lartë për mos u infektuar./tvklan.al