Rrisin çmimet në mënyrë drastike

Teksa gjithkush po solidarizohet në betejën kundër koronavirusit, duke hequr diçka nga vetja, është dikush që po bën biznes me këtë fatkeqësi.

Një kohë kur qeveritë në shumë vende, përshirë Shqipërinë, po e konsiderojnë angazhimin kundër Covid-19 si një lufte për jetë a vdekje, farmacitë, thuajse të gjitha farmacitë i kanë rritur në mënyrë drastike çmimet e maskave dhe të dezinfektantëve, dy elementëve kryesorë që kërkohen për t’u mbrojtur nga pandemia.

Maskat janë vështirë për t’u gjetur. Kur i gjen, janë me çmime të rritura me dhjetëra herë. Po ashtu edhe dezinfektantët, që janë më të lehtë për t’u gjetur.

“Një dezinfektant për duart, vetëm 80 ml, sot kushtonte 400 lekë nga 200 lekë që ka qenë më parë. Këtë dezinfektant ne e bleme në një farmaci pranë Rrugës së Dibrës në kryeqytet”.

Jashtë kamerës, farmacistët thonë se rritja e çmimit ka ardhur nga depot farmaceutike. Por kur u flet për abuzime që lindin edhe prej vetë atyre, në disa raste janë gati të t’i falin maskat, për të treguar se nuk i kanë problem paratë.

E pyetur nga Televizioni Klan, Presidentja e Urdhrit të Farmacistit, Diana Toma, tha se nuk arrin të identifikojë furnitorin dhe kërkoi emrin e farmacisë. Por mjafton vetëm një kontroll i thjeshtë për të parë se nuk është vetëm 1 farmaci që po kërkon të bëjë para në këtë fatkeqësi, por pothuajse të gjitha.

Tv Klan