Botohet në fletoren zyrtare vendimi për autorizimin e ndihmës shtetërore për Garancinë Shtetërore të huas për subjektet e industrisë përpunuese. Për shkak të krizës ekonomike dhe rënies së ndjeshme të Euros, industria përpunuese dhe sidomos sektori i tekstileve është goditur rëndë duke u reflektuar në uljen e eksporteve.

Për të tejkaluar këtë situatë, sektori ka nevojë të përmirësojë dhe përditësojë proceset teknologjike që përdor, të rrisë nivelin e produktivitetit dhe konkurueshmërisë në tregjet ndërkombëtare. Ndaj nëpërmjet kësaj kredie e cila në total kap vlerën e 4 miliardë Lekëve, qeveria synon të lehtësojë blerjen e makinerive, automatizimin e linjave të prodhimit, krijimin e kushteve strukturore, për të realizuar ciklin e plotë ‘Made in Albania’, si dhe do të ketë mundësinë e disponimit të likuiditetit për nevoja të blerjes së lëndës së parë.

Sipas vendimit të Komisionit të Ndihmës Shtetërore, e cila autorizon skemën e ndihmës shtetërore në formën e garancisë shtetërore të huas me banka, përcakton se subjektet duhet të dorëzojnë kërkesën e aplikimit për hua pranë bankave jo më vonë se 31 Tetor 2024, ndërsa afati i fundit i nënshtrimit të kontratës është 31 Dhjetori i këtij viti.

Në vendim përcaktohet se huamarrësi duhet të jetë subjekt i regjistruar në Qendrën Kombëtare të  Biznesit, nuk duhet të kenë detyrime tatimore të papaguara në momentin e aplikimit. Nuk duhet të ketë kredi me probleme, me vonesa prej më shumë se 60 ditë, në historik dhe në momentin aktual në Regjistër Kredie. Ndërsa vlera e huas që do të vendoset në dispozicion mund të variojë në përputhje me kërkesën e paraqitur nga subjekti, por në asnjë rast kreditë e dhëna sipas Marrëveshjes së Garancisë, nuk do të jenë më të larta se 100 milionë Lekë.

Në vendim përcaktohet po ashtu edhe afatet maksimale të kredisë, në rastin e kredive për investim në asnjë rast nuk duhet të kalohet afati prej 7 vitesh, ndërsa për kreditë për blerje të lëndës së parë nuk duhet tejkaluar afatin prej 3 vitesh. Eksportët gjatë muajve të parë të këtij viti kanë rënë me rreth 30% duke rrezikuar mbylljen e shumë fabrikave të prodhimit.

Klan News