“Riktheni të parin, ky është i zbatueshëm. Do të mbyllemi”
E gjithë industria fason është bashkuar për të kundërshtuar protokollin e masave të higjenës të vendosura për punën në ndërmarrjet e tyre, të quajtur si “protokolli i Kuq”.
Shoqata Pro Export, Dhoma e Fasonistëve të Shqipërisë dhe Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve i kanë dërguar një letër kryeminsitrit Edi Rama dhe disa ministrave përgjegjës për parandalimin e pandemisë, ku i sqarojnë se masat higjenizuese të ndryshuara së fundi janë të pamundura për t’u zbatuar.
“Kushtet që janë fiksuar në të për ndërmarrjet fason janë të parealizueshme teknikisht e të papërballueshme financiarisht, por dhe të pakuptimta të bëhen më të shtrënguara se protokolli i mëparshëm, edhe pse vendi po shkon drejt lehtësimit. Zbatimi i këtij protokolli të paarsyeshëm në praktikë do të thotë as më shumë e as më pak mbyllje e plotë e ndërmarrjeve fason në Shqipëri”.
Fasonët sqarojnë se e kanë të pamundur të gjejnë një mjek që të rrijë 8 orë në punë, pasi atë e marrin çdo mëngjes për të kontrolluar gjendjen e punonjësve, po ashtu lënia e rreshtave bosh në autobus për ta është e pamundur dhe absurd kur punonjësit janë me maska.
“Nuk mundet që kompanitë e fasonerisë të dezinfektojnë dy herë në ditë mjediset e tyre. Kjo është edhe praktikisht e parealizueshme dhe nuk përballohet edhe financiarisht”.
Në fund të letrës ata bëjnë thirrje për mbështetje financiare për shkak se shumë kompani kanë patur rënie të shitjeve dhe disa të tjera janë mbyllur.
Tv Klan