Një nga problemet më të mëdha në Hipotekë përgjatë gjithë viteve që këto zyra kanë funksionuar ka qenë ai i korrupsionit dhe vonesës së shërbimeve për qytetarët. Kryregjistruesi, Valdrin Pjetri tregon se gjatë një kontrolli që u bë në vitin 2017, u gjetën vonesa për 80 mijë qytetarë, nga 170 mijë aplikime totale. Kjo shifër për të lidhet fort me imazhin që Zyrat e Regjistrimit të Pasurisë japin për qytetarët dhe perceptimin e korrupsionit.

Që në Nëntor të këtij viti, zyrat e Hipotekës në Tiranë kanë nisur aplikimin e sistemit të ri “fast track”, që do të thotë shërbim i shpejtë për 9 shërbimet kryesore që ofron Hipoteka: marrja e kartelës së pasurisë, bllokime të pronësisë nga bankat apo kalim pronësie.

Platforma e re teknologjike bën që shërbimi të mos vonohet me shumë se 24 orë për çdo qytetar që kërkon një përgjigje të shpejtë nga zyrat e regjistrimit të pasurive, çdo vonesë monitorohet nga një grup punonjësish dhe vetë drejtuesit e institucionit.

“Nuk duhet të njohësh regjistruesin për të marrë kartelën. Çdo gjë është në sistem dhe vonesa lë gjurmë atje”.

Më 31 Mars shërbimet e shpjeta përmes sistemit të ri do të implementohen në të gjithë Shqipërinë, në 11 zyrat kryesore rajonale. Afërsisht gjysma e aplikimeve të qytetarëve që shkojnë në Hipotekë lidhen me shërbimet që ndodhen në platformën “fast track”.

Tv Klan