Dy “kopshtarë”, të cilët menaxhonin një fabrikë kanabisi me vlerë 1 milionë paund, nuk ishin të domosdoshëm për rrjetin kriminal për të cilin punonin.

Daniel Muhaj, 29 vjeç dhe Eglant Selenica, 35 vjeç u kapën në një ndërtesë që ndodhej në një park industrial në Redgrave të Suffolkut. Ata jetonin në të njëjtën ndërtesë ku rrisnin kanabisin, për të cilin kujdeseshin.

Dyshja, sipas asaj që shkruan BBC, kishte shkuar ilegalisht në Britani. Para gjykatës ata pranuan akuzën e prodhimit të kanabisit.

Mbrojtësi i tyre ligjor tha se dy shqiptarët kishin qenë viktima dhe të fundit në zinxhirin e rrjetit kriminal.

Jeremy Kendall tha se ata kishin pasur një rol të papërfillshëm, duke qenë se prej tyre ishte kërkuar vetëm të kujdeseshin për bimët dhe të mos tërhiqnin vëmendje.

Dyshja kishte më pak së një muaj që jetonte në Suffolk.

Selenica ka bashkëshorten dhe një djalë 8 vjeç në Shqipëri. Ai kishte udhëtuar nga Rumania për në Mbretërinë e Bashkuar për punuar në ndërtim përpara se t’i ofroheshin 1 500 paund në muaj për të ruajtur bimët.

Ndërsa Muhaj kishte hyrë në Britani i fshehur në një kamion që vinte nga Franca dhe mendoi se nuk kishte opsion tjetër përveçse të pranonte punën në fjalë për të paguar 8 mijë paundët që u kishte atyre që e trafikuan.

Dyshja u arrestua të hënën, pasi policia u njoftua për një aromë të fortë kanabisi nga pronari i njësisë dhe qiramarrësit që ndodheshin pranë.

Ndërtesat ishin marrë me qira në Nëntor dhe brenda një kohe të shkurtër, qiramarrësit kishin ndryshuar bravat, pasi u kishin thënë pronarit se nuk ishin mjaftueshëm të sigurta.

Kur policia kontrolloi ndërtesat zbuloi se prodhimi i kanabisit ishte në shkallë industriale, me qindra bimë të rritura, ndriçim të sofistikuar dhe pajisje ventilimi.

Muhaj dhe Selenica ndodhen në paraburgim dhe pritet që dënimi për ta të jepet nga Gjykata e Ipswich. Ata rrezikojnë të dënohen me të paktën 3 vjet e gjysmë burg.

/tvklan.al