Britania po përballet me një dramë politike të rrezikshme, ndërsa kryeministrja Theresa May përpiqet të sigurojë mbështetjen e Parlamentit për marrëveshjen e shkëputjes nga Bashkimi Europian, për të cilën u ra dakord javën e kaluar. Ligjvënësit janë zotuar të mos e votojnë marrëveshjen, ndërsa anëtarët e partisë së saj po përpiqen ta largojnë nga posti zonjën May. Ndërkohë, kundërshtarët e shkëputjes shpresojnë që kaosi i krijuar të mund të sjellë një referendum të dytë lidhur me largimin nga Europa:

Të hënën, udhëheqës të biznesit në Britani, bënë një paralajmërim të ashpër lidhur me koston në rritje të pasigurisë së krijuar nga Brexit:

“Brexit po e konsumon qeverinë, çdo politikan, apo punonjës civil; është duke dëmtuar gjithashtu biznesin e Britanisë. Firmat tona janë duke shpenzuar me qindra miliona paundë për t’u përgatitur për skenarin më të keq.”- 

tha drejtoresha e konferederatës së industrisë britanike, Carolyn Fairbairn.

Kryeministrja Theresa May thotë se marrëveshja do të jetë diçka e mirë për biznesin, duke bërë të mundur rekrutimin e talenteve nga e gjithë bota:

“Nuk ka për të ndodhur më, që europianët, pavarësisht nga aftësitë dhe eksperienca që kanë, të kenë përparësi punësimi ndaj inxhinierëve nga Sidnej, apo programuesve nga Delhi,”

– tha zonja May.

Ky premtim synon të qetësojë përkrahësit e Brexit-it, që thonë se Marrëveshja për Largimin nga Bashkimin Europian, e lë Britaninë shumë pranë grupit.

“Përkrahësit e Brexit-it e kanë reklamuar gjithmonë atë, me idenë se përmes Brexit-it, do të arrihen një numër i madh marrëveshjes tregtare me vendet me zhvillim të shpejtë ekonomik, si ato aziatike dhe SHBA. Problemi me të cilin këto vende tani përballen është se Theresa May është angazhuar për një sistem të përbashkët doganash, që do të thotë se Britania para së gjithash delegon pushtet përmes tarifave të saj dhe ndoshta edhe përmes elementëve të tjerë të politikës së saj të jashtme ndaj BE-së.”

– thotë John Springford, i Qendrës për Reforma Europiane.

Një numër ministrash britanikë dhanë dorëheqjen në shenjë proteste, ndërsa të tjerë po përpiqen ta detyrojnë Theresa May-n ta modifikojë marrëveshjen. Por si kryeministrja britanike, edhe Bashkimi Europian, thonë se negociatat për tërheqjen nga marrëveshja kanë marrë fund.

Me shtimin e rebelimit, anëtarët konservatorët të paralamentit, mund të kërkojnë që këtë javë, një garë për ndryshimin e udhëheqjes. Edhe në se Theresa May do të mund të mbijetojë, shumica e ligjvënësve janë zotuar se do të votojnë kundër marrëveshjes. Kjo mund ta zhysë përsëri në kaos politik Britaninë.

“Vlera e paundit britanik ka për të rënë. Ka për të patur një presion të madh nga tregjet dhe nga bizneset, që do të thonë: “Duhet të kemi medoemos një marrëveshje.” Një tjetër skenar është që zonja May të japë dorëheqjen. Nuk ndodh që qeveria të krijohet nga parlamenti, prandaj do të lindë nevoja për zgjedhje të përgjithshme, megjithëse mendoj se kjo nuk mund të ndodhë. Atëhere mundësia e vetme mbetet një referendum i dytë lidhur me Brezitin,”

– thotë zoti Springford.

Ndërsa anketat tregojnë se britanikët tani duan që çështja e Brexit-it të rishikohet, ka dy hamendësi: mundësia e një referendumi të dytë dhe largimi i detyruar i Theresa May-t nga posti.

Këtë javë ajo shkon në Bruksel për bisedime lidhur me “Deklaratën politike”, që përvijon lidhjet e ardhshme të Britanisë me BE-në.

Por ky dokument nuk ka obligime ligjore dhe kritikët e zonjës May thonë se ajo nuk duhet të paguajë faturën e 50 miliardë dollarëve të Britanisë për shkëputjen nga BE-ja për detyrimet ekzistuese, pa dhënë garanci më të forta për një marrëveshje tregtare.

Me afrimin e afatit të marsit të 2019-ës, po shtohen pasiguritë, ndërsa politikanët dhe populli në Britani duken përherë e më të përçarë./VOA