Qindra luftëtarë ukrainas që ndodheshin në fabrikën e rrethuar të çelikut të Mariupolit Azovstal janë dërguar në territoret e kontrolluara nga Rusia. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov nuk pranoi të komentojë mbi statusin e trupave të evakuuar dhe nuk u përgjigj nëse ushtarët ukrainas do të trajtoheshin si kriminelë lufte apo si robër lufte.

“[Presidenti Vladimir] Putin ka garantuar se ata do të trajtohen në përputhje me ligjet përkatëse ndërkombëtare,” tha ai, duke refuzuar të japë detaje të mëtejshme se çfarë do të ndodhë me trupat e evakuuar.

Duke folur në parlamentin rus, Kryetari Vyacheslav Volodin tha se të evakuuarit nuk duhet të shkëmbehen, por duhet të dalin para drejtësisë.

Më shumë se 260 luftëtarë u larguan nga fabrika e çelikut Azovstal orët e vona të së hënës dhe u dërguan në zonat përreth të mbajtura nga rebelët e mbështetur nga Rusia. 53 luftëtarë të plagosur u dërguan në Novoazovsk dhe 211 persona u dërguan në Olenivka, në veri të qytetit port.

Zëvendëskryeministri i Ukrainës tha më herët se Ukraina po punon në hapat e ardhshëm të evakuimit dhe shpreson të shkëmbejë mbrojtësit ukrainas me të burgosurit rusë të luftës./tvklan.al