Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu e konsideron të rëndësishme e të suksesshme, ecurinë e procesit të reformimit të Forcave të Armatosura gjatë vitit 2007. Në një intervistë për televizionin Klan Mediu ka nënvizuar se mesazhet që kanë përcjellë përfaqësues të lartë të vendeve të NATO-s, gjatë 2007 i konsiderojnë forcat tona të armatosura të reformuara sipas standardeve ndërkombëtare.
Fatmir Mediu: “Ka qenë po ashtu një vit i rëndësishëm vlerësimi nga gjithë ndërkombëtarët, duke filluar nga presidenti Bush për mesazhin që dha për forcat e armatosura, duke vazhduar më tej pastaj edhe me qëndrimin e qartë të kryeministrit Prodi në përvjetorin e forcave tona të armatosura. Dua të theksojë që të gjitha zhvillimet në forcat e armatosura kanë qenë sipas një plani vizionar, i cili tregon që forcat e armatosura janë në një proces të thellë transformimi. Ne kemi tashmë një lidership ushtarak dhe një strukturë të forcave të armatosura solide dhe me kualitet, por që patjetër kërkon një angazhim serioz nga të gjithë ne që të gjitha resurset të gjitha mundësitë që kemi ti adresojmë në drejtimet e duhura.”
Ndërkaq kreu i Mbrojtjes, ritheksoi se sfida kryesore e kësaj ministrie për vitin 2008 mbetet marrja e ftesës për anëtarësim në NATO, në samitin e Bukureshtit. Mediu vuri në dukje se rritja e kapaciteteve operacionale të forcave të armatosura, si dhe marrëdhëniet ndërministrore për çështjet e emergjencave, janë prioritetet për vitin 2008.
Fatmir Mediu: “Shpresoj që bashkë me institucionet e tjera dhe me angazhimin serioze që ka qeveria shqiptare, por edhe gjithë politika të marrim ftesën për anëtarësim në samitin e Bukureshtit. Ndërtimi i një strukture në 3 nivele, e cila domethënë konceptoi nivelin strategjik, atë operacional dhe taktik, që të cilat duhet të jenë të lidhura me njëra tjetrën, sipas zinxhirit të komandimeve dhe të funksionojë në mënyrë të qartë dhe sa më të thjeshtë. Sfida po ashtu kryesore që është po ashtu sfida më e madhe është ndërtimi i një force tërësisht profesioniste që pavarësisht se parashikohet brenda vitit 2010, viti 2008 është viti vendimtar.”
Në deklaratën e tij për TV Klan Fatmir Mediu u ndal edhe tek marrëdhëniet brenda koalicionit të djathtë. Sipas tij pas më tepër se 2 vjet qeverisje, koalicioni ka nevojë për një analizë të ecurisë së punës dhe për një ridimensionim të së djathtës.
Fatmir Mediu: “Që ka ardhur koha për një riorganizim të së djathtës, për faktit sepse ka tendenca të paralizimit të cilat do të ishin shumë të dëmshme, do të çonin në interesa tërësisht, do të thosha të sipërfaqshme dhe të dëmshme jo vetëm për interesat e së djathtës, por edhe gjithë shoqërisë shqiptare. Ja kemi bërë këtë thirrje kryeministrit Berisha dhe Parisë Demokratike, por si parti Republikane do të jemi shumë aktive në këtë drejtim. Është e domosdoshme një raport më i qartë i vetë i mazhorancës, i qeverisë do të thosha me mazhorancën parlamentare dhe duhet një raport më i përgjegjshëm i të gjithë ekzekutivit në detyrim me karshi parlamentit, për t’iu përgjigjur debatit parlamentar, por sidomos për t’iu përgjigjur kuptimit të përbashkët me të gjithë deputetët dhe veprimin tonë politik.”
Për sa i takon reformës zgjedhore kryetari i republikanëve tha, se partitë e djathta duhet të kenë një vizion të përbashkët duke shmangur mbivlerësimin për partitë e vogla apo tendencën për t’u kontrolluar nga partitë e mëdha./tvklan.al