Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Në takimin e 24 Janarit në Bruksel ku krerët e partive parlamentare janë thirrur të diskutojnë për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri, koalicioni opozitarë Bashkimi për Fitore do të shkojë me propozime të përbashkët. Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu, tregon se të 5 drejtuesit e këtij koalicioni janë të gatshëm të tregohen tolerantë për zgjidhje konkrete.

Fatmir Mediu:- “Në kompleks besoj që Bashkimi për Fitore ka arritur një logjikë, që nuk është as e Mediut, as e Berishës, por është e këtij koalicioni për mënyrën se si duhet kapërcyer kriza politike dhe institucionale që ka Shqipëria. Mënyra e ndërtimit të komisionit dypalësh që ka qenë edhe një element diskutimi dhe me faktorin ndërkombëtarë. E dyta ka qenë ndërtimi i komisionit ad-hoc në parlamentin shqiptarë për luftën kundër korrupsionit dhe krimit, nisur nga përvojat italiane dhe amerikane. E treta, një komision që ka të bëjë me Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit. Para takimit të Brukselit ne duhet publikisht të diskutojmë rreth opsioneve të mundshme që ka njëra palë, apo pala tjetër, në mënyrë që të kemi një reflektim paraprak, që të mos jetë Brukseli vatër e sherrit, por vatër e komunikimit dhe mirëkuptimit me njëri-tjetrin dhe njëkohësisht me faktorin ndërkombëtarë”.

Zoti Mediu mendon, se tryeza e Brukselit është e domosdoshme për të zgjidhur situatën politike, që sipas tij po i ngjan një grushti shteti të përgatitur nga presidenti Mejdani dhe kryeministri Meta. Sipas ftesës zyrtare të komisionit të jashtëm të Parlamentit Europian, politikanët më të lartë në Shqipëri do të diskutojnë atje për zgjedhjet parlamentare të Qershorit dhe për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit të Shqipërisë me BE./tvklan.al

Gazetare – Elona Meço