Opinion- Kreu i Partisë Republikane, si dhe një nga figurat kryesore të koalicionit të Bashkimit për Fitoren, Fatmir Mediu ka dhënë një intervistë për emisionin “Opinion”, përpara zgjedhjeve të 24 Qershorit të vitit 2001.

Gjatë intervistës përballë gazetarit Blendi Fevziu, kreu i Partisë Republikane foli për zhvillimet e partisë së tij dhe bashkëpunimin me Partinë Demokratike. Ai tha se ideja e këtij bashkëpunimi ka ardhur nga Partia Republikane në qytetin e Vlorës në mënyrë që të zgjidhnin një kandidat që plotësonte kushtet dhe që të kishte pas vetes elektorat.

“Fushata është intensive për të gjithë, si për partitë e mëdha edhe për ato të dorës së dytë. Partia Republikanë gjithnjë ka qenë në një përpjekje për të krijuar një pol të tretë në politikën shqiptare, por hapësirat nuk kanë ekzistuar. Politika në Shqipëri është parë si konflikt interesash dhe personazh dhe jo si konflikt idesh. Megjithatë mendoj se grupimi Bashkimi për Fitore është një bashkëpunim real dhe i ri në jetën politike shqiptare. Është i vetmi koalicion real deri tani në jetën politike shqiptare që bazohet mbi vlerat elektorale dhe mbi identitetet politike. Ky grupim nuk mund të funksionojë pa nevojën e pjesëve përbërëse të saj. Baza e këtij koalicioni filloi që në zgjedhjet lokale, PD që ishte në një aleancë tjetër kërkoi në atë kohë edhe bashkëpunim me Partinë Republikane. Ideja e këtij bashkëpunimi në radhë të parë ka ardhur nga Partia Republikane në qytetin e Vlorës duke pasur parasysh që nëse vërtetë do të ecnim në një logjikë normale të bashkëpunimit politik mund të ishte thyerja e parë politike pikërisht në atë vend ku ndodhi edhe thyerja negative politike. Më tej ka pasur një vullnet të dyanshëm mes partive derisa u afrua edhe Balli Kombëtar me koshiencën që e djathta e bashkuar shqiptare nuk funksiononte më sepse rezultoi një dështim në zgjedhjet lokale dhe kështu u plotësua i gjithë spektri i së djathtës me partitë politike që ndjenin nevojën e bashkëpunimit me njëri-tjetrin. Fakti që u tërhoqëm nga ky koalicion ka të bëj me disa elementë të trajtimit politik të këtij koalicioni, por në të tërën nuk ka pasur një qeverisje të dështuar të dy partive që kanë qenë në koalicion. Nuk ka pasur një program të përbashkët mes Partisë Demokratike dhe Partisë Republikane. Kanë qenë disa ministra të Partisë Republikane që me përkushtim kanë kryer detyrën e tyre, por nuk ka pasur nevojë Partia Demokratike për një program të përbashkët. Ka pasur thjeshtë një bashkëpunim moral mes dy forcave politike që sëbashku u përpoqën të mposhtnin komunizmin dhe realizuan një sukses të zgjedhjeve të 1992”, tha Mediu. / tvklan.al