Fatmir Xhafaj do të jetë në listën e PS-së për Tiranën. Këtë e ka konfirmuar gazetarja Elja Zotka gjatë një komunikimi live në emisionin “Opinion”. Ajo tha se ende po diskutohet për numrin në të cilin do të renditet Xhafaj, pasi në selinë rozë vijojnë diskutimet intensive. Sipas gazetares, edhe për Pandeli Majkon nuk ka një vendim të qartë se në çfarë numri do të përfshihet në listën e Tiranës.

“Për Fatmir Xhafajn kam marrë konfirmime se do të jetë pjesë e listës së Tiranës. Dy ditët e fundit është zyrtarizuar pozicioni i tij në listë. Emrat akoma janë duke u diskutuar. Për zotin Majko ende nuk ka një vendim përfundimtar se ku do të jetë në listën e Tiranës. Diskutimet janë vërtetë shumë intensive në PS. Madje drejtuesit politikë as telefonat nuk kanë mundësi që të komunikojnë”, tha Zotka.

Gazetarja shtoi më tej se me shumë mundësi Olta Xhaçka, e cila është drejtuese politike në Dibër, nuk do të kandidojë në këtë qark, por në Korçë. Kjo për shkak se në Dibër, PS-ja nuk ka marrë ndonjëherë më shumë se dy mandate dhe paraprakisht në listë është menduar të jetë në krye të listës përfaqësuesi i komunitetit të emigrantëve dhe Aurora Mara, ish-deputetja e zgjedhur në 2017-ën në radhët e LSI-së, por që tashmë është rreshtuar krah PS-së.

“Nuk e di nëse do të zyrtarizohet, por me shumë gjasë Olta Xhaçka që është drejtuese politike e Dibrës nuk do të jetë në listën e Qarkut Dibër, por po diskutohet që  të jetë në Qarkun e Korçës, në zonën e Kolonjës. Pretendojnë të marrin 3 mandate, por më shumë se 2 mandate socialistët nuk kanë marrë ndonjëherë në Dibër. Në listën e Dibrës deri tani diskutohet që përveç përfaqësuesit të komunitetit të emigrantëve që Rama prezantoi që do të kryesojë listën, zoti Krashi pretendohet që të jetë edhe Aurora Mara, një deputet që më parë ka marrë një mandat për LSI-në dhe këtë 4-vjeçar është vendosur pranë PS-së”./tvklan.al