Opinion– Fatos Klosi, ish-shefi i Shërbimit Informativ Shqiptar ka dhënë një intervistë për emisionin “Opinion” më datë 31 Tetor të vitit 2002. Ai foli për zhvillimet e asaj kohe lidhur me veprimtarinë e SHISH.

Sipas tij lidhja e krimit të organizuar me segmente politike të caktuara në vendin tonë është e rrezikshme. “Është tendencë e krimit që t’i afrohet politikës”, tha Klosi ndërkohë që shtoi se krimi sot kryesisht zhvillohet nëpër zyra.

“Për 5 vite me radhë ndoqa filozofinë e të mos qenit në media për të mos rënë në lojën e tyre. Por mesa duket kohët e fundit jam i detyruar të dal shpesh në media sepse po thuhen shumë të pavërteta. Detyra ime kryesore si shef i SHISH ka qenë drejtimi politik i këtij shërbimi, përcaktimi i prioriteteve kryesore, përpjekjet për reformimin e këtij shërbimi dhe vënia e këtij shërbimi në shërbim të vendit. Kur unë mora detyrën arrita në përfundimin se duhej bërë një ligj tjetër që t’i hiqte këtij shërbimi kompetencat ekzekutive për të qenë një shërbim perëndimor. Krimi i organizuar sot është një fenomen rajonal, ku trafiqet fillojnë shumë larg, kalojnë nëpër Shqipëri dhe përfundojnë nëpër Evropë. Terrorizmi sot është bërë fenomen botëror. Ne nuk jemi marrë me zhvillimet politike, janë jashtë sferës së interesit të SHISH.

“Prioritetet tona janë klasike, një detyrë shumë e rëndësishme është lufta kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit. Situata politike nuk ka qenë objekt i punës. Lidhja e politikanëve me krimin e organizuar është një temë që diskutohet shumë. Unë nuk mund ta them këtë në parim, por raste të veçanta natyrisht ka pasur dhe ne kemi bërë kujdes në ndjekjen e tyre. Është tendencë e krimit që t’i afrohet politikës, kjo po ndodh në nivel botëror. Segmente të krimit kërkojnë mbështetjen e politikës. Krimi sot kryesisht zhvillohet nëpër zyra, në tendera të ndryshëm, në marrje licensash të padrejta, etj. Ne jemi përpjekur që të gjithë informacionin që kemi pasur në dispozicion ta vërtetojmë më parë dhe të mos ngutemi. Nuk mund të nxjerr emra tani, sidomos tani që s’jam më në detyrë. Lidhja e krimit të organizuar me segmente politike të caktuara aktualisht në vendin tonë është e rrezikshme. Por mendoj se SHISH e ka bërë detyrën e vet me aq sa i lejon ligji dhe është e mundshme në këtë vend”, tha Klosi. / tvklan.al