Pas rrëzimit të regjimit komunist në vitet ’90, Fatos Nano qëndroi në Partinë Socialiste edhe pse vetë ishte njeri liberal që nuk ishte dakord me ideologjinë e Partisë së Punës.

Edhe pse një personalitet i tillë, ai nuk iu bashkua Partisë Demokratike, dhe këtë e ka shpjeguar në një intervistë për emisionin Opinion në Tv Klan.

Në këtë rrëfim të rrallë të tij përballë gazetarit Blendi Fevziu, Nano zbulon arsyen përse vendosi që të kontribuonte për PS-në, që më pas u bë kryetar i kësaj partie.

Blendi Fevziu: Jemi në fund të vitit 1990, kur ju i takonit grupit liberal. Edhe në Tiranën e kohës konsideroheshit si një nga ekonomistët liberalë por edhe personat liberalë. Përse nuk u anëtarësuat në PD por mbetët në Partinë e Punës? Dhe si e kujton lëvizjen e studentëve?

Fatos Nano: Lëvizja e studentëve ishte e vërtetë. Ishte e virgjër, ishte jo shumë e koklavitur. Ishte pasqyrë e ndjenjave të moshës, e vrullit të moshës dhe kërkesave të atij brezi. Sapo filluan të afrohen intelektualë apo interesa të tjera, ajo pushoi së qeni kaq e pastër. Dhe veçanërisht qysh në tribunën e fjalimeve të para të ditës së shpalljes së Partisë Demokratike, u pa që do kishte shumë ujë për rrjedhur. U pa që uji filloi të trazohet. Vendimi im për të ms kaluar me PD-në erdhi në mënyrë racionale dhe graduale sepse në një kohë që të gjithë po turreshin për të kaluar me PD-në, atëherë unë mendova këtu do bëhet një monizëm i ri. Dhe vendosa në mënyrë të ndërgjegjshme të qëndroj majtas për të balancuar situatën. Natyrisht nuk do të qëndroja vetëm, do të bashkohesha me të tjerë intelektualë të majtë, dhe këtë bëmë, balancuam situatën aq sa 4 muaj pas zgjedhjeve të ’92 fituam zgjedhjet vendore.

Blendi Fevziu: Në kohën që ju mbetet në Partinë e Punës dhe filluat të evidentoheshit si një nga të rinjtë me perspektivë dhe natyrisht me formim krejt ndryshe, si ishte raporti juaj me klasën drejtuese që kishte qenë 40 vjet në pushtet? Pra me ata që quheshin komunistët e vjetër? Funksiononte? Kuptonin gjë çfarë po ndodhte?

Fatos Nano: Pjesa mbushje topi që ishin shumica e Byrosë Politike, që kishin ardhur vitet e fundit nga arat, nga kantieret, nuk është se kishin shumë pretendime. Pra nuk shikonin rreth e rrotull, ishin të mbyllur me njëri-tjetrin, nuk i përfillnin studiuesit apo shkencëtarët dhe nuk ta varnin shumë. Ky ishte një avantazh. Në kohën që ata nuk vinin fare në bibliotekë, ti mund të shkoje dhe kishe gjithë kohën për vete dhe të gërrmoje në ca libra që s’i prekte njeri me dorë. Dhe kishte atëherë në biblioteka ca gjëra të tilla. Pra, nuk ta uzurponin kohën e vlefshme të studimit. Ndërkaq, kur ne filluam të shfaqemi, sepse unë 3 vitet e fundit para pluralizimit, nisa një tur bisedash nëpër gjithë Shqipërinë me intelektualë, me kuadro. Doli nami dhe pastaj filluan të më thërrisnin mua. Shkoja pothuajse çdo dy javë dhe flisja siç kam folur me studentët e mi. Shtroja pyetje provokuese, kërkoja përgjigje nga salla, shikoja që salla ishte gati për përgjigjen që doja unë dhe e jepja atë përgjigje. Opinioni po mbartesh. Opinioni priste, opinioni ishte kurioz se kush po thotë ndonjë gjë dhe ç’janë këta të rinj që po thonë ca gjëra. Dhe kjo më çoi mua në dënimin që u bëra kryetar i Partisë Socialiste.

Blendi Fevziu: Ishte presioni nga poshtë që e solli?

Fatos Nano: Ishte presioni nga poshtë. Pra unë u bëra i njohur me këto ture. /tvklan.al