Fatos Tushe: Vuaj nga disa sëmundje, nuk mund të qëndroj në qeli

Ish-kryebashkiaku i Lushnjes Fatos Tushe i cili u arrestua nga SPAK për shpërdorim detyrë dhe abuzim me tenderat, kërkon lirimin nga qelia, në këmbim të garancisë pasurore. Me anë të një kërkese drejtuar Gjykatës së Posaçme të Apelit, Tushe thote se vuan nga disa sëmundje, të cilat i krijojnë pamundësinë për të qëndruar në burg.

Ish-kryebashkiaku shprehet se vuan prej vitesh nga sëmundje kardiake, diabet, gur në tëmth me kriza të vazhdueshme akute, ka probleme me mushkëritë dhe është alergjik ndaj disa ushqimeve. Në kërkesën e paraqitur nga avokati i tij, Tushe shprehet se problemet shëndetësore i ka të provuara dhe pasqyruara me analiza mjekësore.

Në këmbim të lirimit ish-kryebashkiaku ofron si garanci pasurore një shumë të caktuar që mund të konsiderohet e arsyeshme nga Gjykata, për të caktuar një masë sigurie më të lehtë.

Tushe u arrestuar me urdhër të SPAK bashkë me 10 persona të tjerë vartës të tij dhe biznesmenë. Pak ditë më parë, ai iu drejtua Apelit me një kërkesë tjetër për masë më të butë sigurie. Ish-kryebashkiaku i Lushnjes thotë se për të nuk ka prova që e implikojnë në abuzimin me tenderin prej 240 milionë Lekësh, për rehabilitimin e kanalit vaditës.

Tv Klan