Një gjykatë angleze ka dënuar me burg  Fatos Xhetën, të akuzuar për vrasjen e gruas së tij. 46-vjeçari është burgosur për të paktën 19 vite. Safie

Xheta 35 vjeç u gjet e vdekur më 17 Qershor 2019 në dhomën e gjumit të shtëpisë së tyre në Oxford të Britanisë së Madhe. Ajo ishte goditur për vdekje me thikë nga bashkëshorti i saj, Fatos Xheta.

Javën e kaluar, juria e gjykatës e shpalli fajtor 46-vjeçarin dhe iu deshën vetëm 90 minuta për të dalë në këtë konkluzion. Ndërsa gjyqtari e dënoi sot me një minimum prej 19 vitesh burgim. Ai tha se Fatos Xheta ishte xheloz ndaj gruas së tij dhe e kishte qëlluar disa herë me thikë.

Ndërsa prokurori i çështjes deklaroi se goditjet me thikë në qafë i shkaktuan vdekjen e menjëhershme 35-vjeçares.

Përreth shtëpisë së çiftit, hetuesit gjetën edhe disa shënime, njëra prej të cilave në gjuhën shqipe, ku shkruhej: “Tradhëtia zgjidhet vetëm me vdekje”.

Gjatë seancës gjyqësore u dëshmua gjithashtu se burri kontrollonte dhe monitoronte vazhdimisht gruan e tij disa muaj para. Madje ai kontrollonte edhe profilin e Safies në Instagram.

Çifti Xheta jetonte dhe punonte në qytetin Oxford të Britanisë prej rreth 1 viti. /tvklan.al