Gjykata e Krujës ka pezulluar nga detyra 7 punonjës të policisë të cilët akuzohen për shpërdorim detyre.

Në një njoftim për mediat, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme bëri me dije se policët e pezulluar, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, janë të përfshirë në disa vepra penale përgjatë vitit 2019.

Konkretisht, me veprimet dhe mosveprimet e tyre dyshohet se kanë favorizuar kultivimin e bimëve narkotike, ndërtimeve pa leje, kanë fshehur dhe manipuluar ngjarje, si dhe kanë kryer veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës dhe fakteve kriminale, mos-raportime të ngjarjeve kriminale, mos-evidentim të kallëzimeve të shtetasve sipas detyrimeve ligjore, etj.

Policët e pezulluar janë Xh.B., punonjës i Patrullës së Përgjithshme, S.D., Ndihmës/specialist për Rendin, M.C., Ndihmës/specialist për Rendin, N.S., Ndihmës/specialist për Rendin, K.D., Ndihmës/specialist për Rendin, D.S., Ndihmës/specialist për Rendin dhe F.B., punonjës i Patrullës së Përgjithshme.

Gjatë hetimeve u sekuestrua një sasi kanabisi dhe u asgjësuan bimë narkotike. Hetimet për këtë ngjarje vazhdojnë deri në dokumentimin e plotë të veprimtarisë së kundraligjshme të policëve të pezulluar dhe personave të tjerë të përfshirë. /tvklan.al