Në skemë të përfshirë zyrtarë të policisë, IMT dhe pushtetit lokal 

Pas një seance që nisi mëngjesin e së dielës, në orët e mbrëmjes gjykata vendosi të lërë në burg 8 prej tyre. Pesë janë efektivë të policive në Durrës, Shijak, Manës dhe Sukth. Në qeli do të vazhdojë të qëndrojë edhe kreu i Njësisë Administrative Sukth, Gjergji Gërco dhe ndërtuesi Adem Lika.

Gjykata vendosi që të japë masën pezullim nga detyra dhe detyrim paraqitje për Besnik Domi, shef i Rendit në Policinë e Shijakut dhe Sami Xhafën, shef i komisariatit të policisë në Manëz.

Për policin Gani Dama, i cili është ende në kërkim, do të mbetet në fuqi masa arrest me burg. Detyrim paraqitje është vendosur edhe për disa qytetarë që kishin ndërtuar pa leje, por që me anë të një skeme korruptive ishin mbrojtur nga policia dhe strukturat shtetërore lokale.

Sipas hetimeve të prokurorisë, zyrtarët dhe policët kanë favorizuar biznesmenët të ndërtojnë pa leje duke falsifikuar dokumentet dhe duke fshehur kallëzimet e qytetarëve.

Ata përfitonin nga 1500 Euro deri në 7 mijë Euro për ndërtime të ndryshme, si objekte banimi, magazine etj. Skema e abuzimeve u zbulua pas nisjes së hetimeve për dy efektivë policie që ranë në përgjimet e Prokurorisë.  Hetimet zgjatën rreth 7 muaj dhe të arrestuarit akuzohen për të paktën 37 objekteve të paligjshme.

Tv Klan