Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka bërë një thirrje publike për të gjithë qytetarët që kanë kaluar me sukses fazën e parë të programit të kredisë së butë. Në një postim në rrjetet sociale, Veliaj u bën thirrje të gjithë fituesve të fazës së parë të sjellin dokumentacionin e nevojshëm në fazën e dytë brenda afatit të caktuar.

Ai thekson se, pavarësisht se ndodhet i izoluar, mbetet i angazhuar në procesin e realizimit të projekteve sociale për qytetarët.

“Programi i kredisë së butë për çiftet e reja dhe familjet e pastrehë është një nga projektet që kam më përzemër dhe gjatë këtyre viteve, pasi e rihapëm, kemi ndihmuar plot qytetarë të Tiranës që të blejnë shtëpinë e tyre me ndihmën e qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës. Edhe pse ndodhem i mbyllur në qeli pa akuzë, i dënuar pa gjyq, dua të ftoj çdo qytetar që ka aplikuar gjatë fazës së parë të programit (ku u shpallën fitues 2237 aplikues), që të sjellin dokumentacionin e nevojshëm në fazën e dytë. Deri më tani, në fazën e dytë, kanë dorëzuar dokumentacionin për kredi të butë shume prej aplikuesve, ndërkohë që ka kohë deri në datën 4 Mars. Çdokush që është shpallur fitues i Fazës së Parë duhet të dorëzojë dokumentacionin e plotë brenda datës 4 Mars (pranë sporteleve të Zyrës së Shërbimeve me një Ndalesë në Rr. e Kavajës), pasi janë plot 1200 kuota në dispozicion. Nxitoni! Përqafime”, shkruan kryebashkiaku Veliaj.


Të gjithë fituesit e Fazës së Parë të Programit “Subvencionimi i Interesave të Kredisë”, kanë afat të fundit për dorëzimin e dokumentacionit deri më 4 Mars 2025. Dokumentet dorëzohen pranë Zyrës së Shërbimeve me Një Ndalesë, Bashkia Tiranë.

/tvklan.al