Një punonjës i një linje ajrore në Seattle në shtetin e Uashingtonit, grabiti një aeroplan bosh të premten në mbrëmje, e fluturoi atë për disa kohë para se ta rrëzonte në ishullin Ketron në jug të ngushticës Puget. Nuk kishte pasagjerë në bord dhe shumë pak banorë jetojnë në ishull.

Zyra e Sherifit të Qarkut Pierce tha nëpërmjet Twitter-it se një punonjës i aeroportit, 29-vjeçar, e mori aeroplanin Horizon Air Q400 nga Aeroporti Ndërkombëtar Seattle-Tacoma. Zyra e sherifit e përshkroi njeriun që vodhi aeroplanin si “vetëvrasës”. Ai humbi jetën.

Kontrolluesit e trafikut ajror mund të dëgjohen në një inçizim audio, duke u përpjekur ta bindin djaloshin e quajtur “Rich” për ta ulur aeroplanin. Më vonë ai mund të dëgjohet duke thënë, “…jam vetëm një djalë i thyer, me disa vida mangët”.

Hetuesit federalë amerikanë filluan hetimin të shtunën mbi rastin e vjedhjes së avionit. Drejtorja rajonale e Bordit të Sigurisë Kombëtare të Transportit Debra Eckrote tha se ekipi i saj po ndihmon një grup nga FBI-ja të hetojë “… dokumentacionin paraprak të rrënojave”, të kërkojnë për kutinë e zezë dhe të gjejnë eshtrat e personit./VOA