Zgjedhjet ishin  korrekte. Por Trump vazhdon kërkon provat

Teksa Presidenti amerikan Donald Trump vijon të kërkojë të drejtën e tij për zgjedhjet, duke pretenduar se i ka fituar, zyrtarët federalë janë shprehur se votimi i vitit 2020 ishte më i sigurti në historinë amerikane, duke hedhur poshtë pretendimet për mashtrim.

Sipas asaj që raporton BBC nuk ka asnjë provë që ndonjë sistem votimi fshiu ose humbi votat, i ndryshoi apo i kompromentoi ato. Trump është shprehur se 2.7 milionë vota janë vjedhur nga demokratët, ndërsa Presidenti i zgjedhur Joe Biden i ka kërkuar atij që të pranojë humbjen.

Komiteti Ekzekutiv i Këshillit Koordinues Qeveritar dhe Këshilli Koordinues i Sektorit të Infrastrukturës Zgjedhore kanë deklaruar se në këto zgjedhje është ruajtur integriteti si asnjëherë më parë.

Ndërkaq pasi u kërkua rinumërimi në disa shtete, Joe Biden del fitues në shtetin e Arizonës, i cili ka 11 vota elektorale. Me fitoren në Arizona, Biden ka 290 vota elektorale, ndërsa presidenti Trump 217.

Për këtë situatë ka reaguar edhe ish-Presidenti Obama, duke thënë se republikanët po minojnë demokracinë duke i bindur Trump se këto zgjedhje janë manipuluar. Në një intervistë me CBS News, Obama tha se Presidenti i zgjedhur Joe Biden ka fituar bindshëm garën e këtij viti për Shtëpinë e Bardhë.

“Më shqetëson fakti që zyrtarë republikanë, të cilët qartë e dinë  se ka fituar Joe Biden po shkojnë pas Trump. Kjo që po bën ish-Presidenti është një hap më shumë për të deligjitimuar jo vetëm administratën e ardhshme të Biden, por demokracinë përgjithësisht dhe kjo është një rrugë e rrezikshme”, tha ai.

Ish-presidenti foli edhe për akuzat si dhe për sfidat ligjore që Trump ka ndërmarrë, duke u shprehur se kreut të Shtëpisë së Bardhë nuk i pëlqen që të humbasë.

Presidenti Trump ka mbajtur një profil të ulët publik që nga zgjedhjet.  Sipas CBS News, Trump gjithashtu po diskuton për realizimin e një fushate të vitit 2024 për të rimarrë presidencën.

Klan Plus