Dyshohet se bashkëpunoi me qeverinë turke gjatë fushatës për kryetar bashkie

Agjentët e FBI-së sekuestruan telefona dhe një iPad nga kryetari i Bashkisë së qytetit të Nju Jorkut, Eric Adams këtë javë, në kuadër të një hetimi mbi mbledhjen e fondeve për fushatën e tij.

Sekuestrimi i pajisjeve, i raportuar fillimisht nga gazeta New York Times, erdhi disa ditë pasi agjentët federalë kontrolluan shtëpinë e drejtueses për mbledhjen e fondeve të fushatës së Adams, Brianna Suggs, në Bruklin.

Kjo detyroi kryebashkiakun Adams të anulonte një udhëtim në Uashington për takime me zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë për çështjen e strehimit të emigrantëve në Nju Jork.

Objektivi i hetimit nuk është bërë publik nga prokurorët, por në një urdhër kontrolli, të siguruar nga gazeta New York Times, thuhet se autoritetet po bëjnë një hetim mbi dyshimet për një komplot të fushatës së kryebashkiakut Adams me qeverinë turke për të marrë fonde nga burime të huaja, përmes personave ose entiteve vendase.

Më herët, Adams është shprehur se nuk ka patur njohuri personale për ndonjë rast të papërshtatshëm të mbledhjes së fondeve dhe nuk besonte se ai kishte arsye për t’u frikësuar nga hetimi.

Klan News