Dollenberg: 50 mijë doza donacion nga Norvegjia

Federata e Mjekëve Shqiptarë në Europë ka siguruar një donacion prej 50 mijë dozash të vaksinave antiCovid për trojet shqiptare. Në një intervistë për televizionin Klan, kryetarja e kësaj federate, mjekja Aurora Dollenberg, rrëfen se Norvegjia është shteti i parë europian që do të dhurojë vaksina për shqiptarët.

“Është shteti i Norvegjisë që i është përgjigjur thirrjes sonë dhe na ka premtuar një donacion prej dozash të AstraZeneca dhe vaksinash të tjera të cilat mund të jenë deri në 50 mijë doza. Do të shpërndahen sipas numrit të popullsisë për vendet shqipfolëse, pra Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni”.

Dollenberg thekson se dozat e vaksinave do të kalojnë në rrugë qeveritare.

“Nëse i përshpejtojmë procedurat burokratike të marrjes së këtij donacioni në mënyrë të tillë që të jenë sa më të lehtësuara dhe këto vaksina të kalojnë përmes rrugëve transparente qeveritare nga shteti norvegjez tek shtetet qoftë të Shqipërisë apo dhe Kosovës”.

Kryetarja e Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Europë, thotë se të tjera negociata me Bashkimin Europian për të sjellë vaksina në Shqipëri pritet të zhvillohen në Qershor.

Tv Klan