Kjo kategori mund të ndjejë muzikën nëpërmjet vibrimit

Projekti “Feel the Beat” është i pari në Shqipëri që përmes disa pajisjeve specifike dhe metodave të dedikuara ka nisur aktivitetet që u mundësojnë të rinjve që nuk dëgjojnë të arrijnë të perceptojnë muzikën përmes vibracioneve të tingullit.

Synimi i këtij projekti është që përmes perceptimit të tingullit dhe muzikës të mund t’i ndihmojë të rinjtë që të rrisin besimin e tyre.

Instrumentisti dhe trajneri i “Feel the Beat” tregon si lindi ideja për një projekt të tillë për fëmijët që nuk dëgjojnë.

“Në Itali për herë të parë kur isha në San Marino unë kam bërë një projekt të tillë dhe doli komplet e rastësishme me grupi që unë isha. Ishim ulur skenë dhe ishte një pjesë e llamarinës dhe kur i binim po vibronte. Ndërkohë që kishim një grup nxënësish, të cilët nuk dëgjonin dhe kuptuam që përmes asaj gjëje, përmes vibrimit dhe përmes memories së muskulit ne krijuam goditje”, ka thënë instrumentisti Ergys Myftari.

Emanuela njëra prej të rejave që u bë pjesë e “Feel the Beat” përshkruan emocionet e saj.

“Përshëndetje, unë jam Emanuela Gjini, jam një person që nuk dëgjoj dhe jam shumë e lumtur dhe falënderoj të gjithë njerëzit që menduan për këtë aktivitet shumë të bukur që ka lidhje me muzikën për muzikën që nuk dëgjojnë”, ka thënë Emanuela Gjini.

Drejtorja e Institutit të Fëmijëve që Nuk Dëgjojnë shprehet se ky aktivitet është mirëpritur nga të rinjtë

“Është risi sepse perceptimi muzikon nëpërmjet vibrimit për ta do të thotë shumë dhe me të vërtetë nuk i kam parë ndonjëherë kaq të kënaqur dhe të gëzuar sa sot”, ka thënë Dr. e Institutit të Fëmijëve që nuk Dëgjojnë Orjola Idrizi.

Ky projekt mbështetet nga Kongresi Rinor Kombëtar, në kuadër të “Tirana Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022” i cili synontë kapërceje barrierat fizike për fëmijët që nuk dëgjojnë.

Klan News