Emisioni “Opinion” i gazetarit Blendi Fevziu, realizuar më 31 Gusht 2009, trajton luftën që Shqipëria komuniste e viteve 1944-1990 i bëri fesë, njërit prej elementëve që konsideronte të rrezikshëm. Sipas tyre, feja ishte në kontrast me shoqërinë e kohës, moralin dhe frymën e re që komunizmi po pretendonte të krijonte.

Me ardhjen në pushtet të komunistëve nisi arrestimi i shumë priftërinjve, kryesisht në Shkodër e Lezhë dhe më pas klerikëve të të gjitha feve. “Lufta” e tyre kulmon në vitin 1967 me vendimin për të mbyllur kishat dhe xhamitë në të gjithë vendin, duke vijuar më pas me Kushtetutën që në vitin 1976 përcaktonte Shqipërinë si vend ateist.

Pavarësisht rezistencës që hasi pas dy viteve dhunë, pushteti arriti të instalonte atë që kërkonte, mbylljen e plotë të kishave dhe xhamive. Një makineri e madhe propagande u vu në luftën kundër fesë, në atë që konsiderohej diskretitimi i besimit dhe institucioneve fetare.

Përmes skenave të improvizuara në detaje fillon të dëshmohet lufta kundër objekteve të kultit. Pamjet dhe tekstet e frikshme tregonin se ç’kishte ndodhur realisht. Por pjesa më e madhe e dhunës që komunizmi kishte filluar të ushtronte kundër fesë, ishte drejtuar në besimin katolik. Ata konsideroheshin si më të kulturuar, më të unifikuar dhe kishin arritur të mbijetonin pavarësisht ndërrimit të sistemeve.

Rreth 600 klerikë në Shqipëri u detyruan të kryejnë dënime nga më të ndryshmet, në distanca kohore nga më të ndryshmet. Shumë prej klerikëve ishin njerëz eruditë që kishin ndikuar jo pak për ruajtjen e gjuhës, zakoneve e traditës. Por kishin bërë vetëm një mëkat sipas komunizmit, nuk e donin atë regjim dhe donin të ishin të lirë në besimin e tyre, gjë që nuk mund t’iu lejohej.

Dhuna kinematografike që komunizmi bëri në Shqipëri nuk ishte parë kurrë në një vend tjetër. Më 1976 Shqipëria ishte vendi i vetëm ateist i globit, ku feja ishte e ndaluar me ligj dhe kushdo që e praktikonte atë mund të dënohej deri në 10 vjet burg. Shqipëria e atyre viteve u mbush me gjyqe të inskenuara që transmetoheshin në kinematë e gjithë Shqipërisë dhe në televizion.

Por sa arriti regjimi i kohës të krijonte hendek mes popullatës dhe besimit fetar?

Mbrëmjen e 24 Dhjetorit të 1990-ës në qytetin e Shkodrës për herë të parë pas 23 vjetësh u tregua se sa e pamundur kishte qenë e gjithë propaganda komuniste për të ftohur popullatën me besimin fetar. Vendimi i regjimit komunist për të shpallur Shqipërinë vendin e vetëm ateist të botës kishte falimentuar. / tvklan.al