Ylli Gurra: Vendimi i Roland Kryemadhit nuk ka asnjë justifikim

Historia e Roland Kryemadhit i cili u arrestua të mërkurën nga policia e ka zanafillën prej mëse dy vitesh. Ai është i njohur për Komisariatin 5 dhe Prokurorinë e Tiranës.

Këto dy institucione kanë negociuar disa herë me këtë familje që fëmijët e tyre të shkonin në shkollë, por konsensusi nuk u arrit kurrë. 

Jashtë kamerës bashkëshortja e Kryemadhit shprehet se fëmijët i ka mësuar vetë në shtëpi dhe nuk janë analfabetë. Ndërsa një nga fqinjët dëshmon gojarisht se Rolandi një ditë më parë ishte gati të vriste edhe familjarët.

Kryemadhi ishte një besimtar i rregullt, që namazin e falte në xhaminë qendrore në Kamëz.

Besimtarët e tjerë, të informuar për historinë, mbajnë qëndrim të kundërt me të tijin. Veprimin për ndalimin e shkollimit të vajzave e dënon ish-myftiu i Tiranës, Ylli Gurra.

“Pretendimi që ka ngritur ai rasti i Kamzës, por i askujt në botë, nuk e justifikon mosarsimimin apo errësirën për vajzat me Kuran. Kanë kundërshtuar në radhë të parë vetveten me citimin më të parë dhe më madhor të Kuranit, që do të thotë lexo”.

Ish-Myftiu sqaron edhe mënyrën se si menaxhohen fenomene të tilla.

“Në pjesën e edukimit duhet që të mund t’u ofrohen arsimimi në shkollat medrese”.       

Në fund, përballë një situate, Gurra bën edhe një apel.

“Të ketë një reagim, që mos të na ndodhë vetë ne. Duhet të na dhembë të gjithëve dhe duhet të marrim pjesën tonë të përgjegjësive për ta pranuar. Reagimi i fuqishëm qytetar ka sjellë atë që ashpërsia e ligjeve nuk e ka ndryshuar, ndërsa reagimi qytetar, brenda një hapësire të shkurtër ka prodhuar atë që dëshiron në fund të fundit, gjithsecili”.

Klan Plus