“Nuk përfitojnë zyrtarë që janë nën hetim nga SPAK dhe ata që kanë kryer vrasje”

Nënkryetarja e Kuvendit Ermonela Felaj në një intervistë për Klan News ka sqaruar se cilat janë kategoritë e të dënuarve që përfitojnë nga aministia penale.

“Nga amnistia do të përfitojnë të gjithë të dënuarit deri më datë 31 Janar 2024, për të cilët gjykata ka dhënë vendime deri në 4 vjet burg ose 5 vjet burg për gratë ose dënime më të lehta.”

Të gjithë këta të dënuar përfitojnë ulje dënimi nga 1 vit burrat e deri në një vit e gjysëm gratë, por të moshuarit dhe minorenët përfitojnë më shumë.

“Do t’ju falet pjesë nga dënimi 4 vjet burrat dhe 5 vjet gra dhe të mitur të gjithë personat e dënuar meshkuj që mbushin moshën 60 vjeç deri në ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe të gjithë të dënuarat gra që mbushin moshën 50 vjeç deri në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Po kështu do të përfitojnë edhe personat e dënuar të cilët në kohën e kryerjes së veprës kanë qenë 18 vjeç ose më pak se 18 vjeç.”

Felaj u shpreh se nga amnistia përjashtohen të dënuarit për vrasje dhe të dënuarit me burgim të përjetshëm.

Përsa i përket debatit për futjen të një neni për të përfituar ulje dënimi zyrtarët e dënuar nënkryetarja e Kuvendit ka shpjeguar se për cilën kategori bëhet fjalë.

“Zyrtarët që janë në hetim nga SPAK-u nuk përfitojnë, pra që janë në hetim, gjykim shkallë të parë, shkallë të dytë apo edhe në gjykatë të Lartë dhe ende nuk kanë marrë vendim të formës së prerë, këta persona nuk përfitojnë nga amnistia. Por zyrtarët që kanë detyrim të deklarojnë pasurinë, jo të gjithë janë subjekte të SPAK-ut.”

Felaj theksoi se edhe të dënuarit për kundërshtim dhe goditje të punonjësve të policisë nuk do të përfitojnë nga amnistia.

Klan News