Molly Gibson lindi në Tetor të këtij viti. Ajo ishte në “proces” prej 27 vitesh. Kjo pasi, siç shkruan BBC, embrioni i bebes ishte ngrirë që prej Tetorit të 1992 dhe qëndroi i ngrirë deri në Shkurt të 2020-s, kur Tina dhe Ben Gibson nga Tennessee e adoptuan.

Molly besohet se ka vendosur një rekord të ri, si embrioni që ka qëndruar për një kohë të gjatë i ngrirë dhe ka lindur, duke thyer rekordin e vendosur nga motra e saj e madhe Emma.

Familja nga Tennessee vuajti për shumë vite me infertilitetin përpara se të kontaktonin Qendrën Kombëtare të Dhurimit të Embrioneve (NEDC), një organizatë jo fitimprurëse në Knoxville, që ruan embrionet e ngrira që pacientët e fertilizimit invitro vendosin të mos i përdorin, por t’i dhurojnë.

Familje të tilla si Gibson-at, mund të adoptojnë një nga embrionet e papërdorura dhe ta lindin atë, ndonëse jo të lidhur gjenetikisht.

Sipas NEDC, aktualisht në SHBA janë rreth 1 milionë embrione njerëzore të ngrira.

E themeluar 17 vjet më parë, kjo qendër ka kryer më shumë se 1 mijë adoptime embrionesh dhe lindjesh dhe tani bën rreth 200 transferta në vit. E ngjashme me procesin tradicional të adoptimit, çiftet mund të zgjedhin një adoptim të “mbyllur” të embrionit, ose të “hapur”, që lejon një formë kontakti me familjen e dhuruesit.

Çifteve u ofrohen rreth 200-300 profile donatorësh, së bashku me historinë demografike të familjes që do të dhurojë. Gibson-at, një çift disi shtatshkurtër, zgjodhën gjithashtu një çift donatorësh shtatshkurtër.

Fëmijët e Gibson-ave, Molly dhe Emma, e cila lindi në 2017 janë gjenetikisht motra. Të dy embrionet u dhuruan dhe u ngrinë së bashku në 1992-n, kur Tina Gibson ishte rreth 1 vjeçe. Sipas NEDC, embrioni 24-vjeçar i Emma-s, ishte më i vjetri në histori që kishte lindur, derisa në jetë erdhi motra e saj Molly./tvklan.al