Fëmijët e 3 policëve të rënë në detyrë, Shkëlzen Dobrushës në 2009-n në Kukës, Roland Likajt në 2010-n në Vlorë dhe kryekomisarit Artan Cukut, në 2017-n, kanë përfituar statusin “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”. Statusi i posaçëm iu dorëzua pasardhësve të tyre nga Kryeministri.

Për dhënien e këtij statusi vendos një Komision i Posaçëm, i drejtuar nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.

“Ne në fakt e kemi pasur goxha merak këtë punë edhe herë pas here kemi diskutuar që s’mund të jetë kjo histori me një ndihmë modeste, si ajo që ishte sepse praktikisht janë fëmijë që humbasin një prind, i cili është në punë, i cili ka një pagë që e sjell në shtëpi. Kështu që menduam ta bëjmë plus pagë”.

Fëmijët e atyre që janë shpallur heronj të kombit përfitojnë deri në moshën 18-vjeçare 70 deri 100 përqind të pagës së prindit që ka humbur jetën dhe nëse ndjekin universitetin vazhdojnë ta marrin këtë pagesë deri në 25 vjeç.

Pas miratimit të ligjit për “Fëmijët në përkujdesje të Republikës” janë 15 fëmijë që kanë përfituar statusin e posaçëm.

Tv Klan