Emisioni “Stop” në Tv Klan ka udhëtuar drejt fshatit Fikas të Elbasanit për një ankesë të zonjës Ryzhdie Terziu. Ajo ka dy fëmijë, të cilët bëjnë një orë në këmbë për të shkuar në shkollën e Bradasheshit. Mjeti që kalon andej, është i tejmbushur, e veç kësaj oraret i ka të papërputhshme me fëmijët e Ryzhdies. Edhe me pagesat e transportit, Ryzhdie Terziu ka patur probleme, pasi nuk i merr kurrë në kohë.

Ryzhdie: Problemi im është për fëmijët, për shkollën, i çoj çdo ditë në Bradashesh, një orë e më shumë është në këmbë. Deri sa i çoj në këmbë, ata nuk bëhen fare për mësim. Dhe pastaj i marr po në këmbë. Problemi është për transport rruge, që nuk ka. Edhe vjet po ky muahabet ishte. Shkova tek komuna, e sollën vjet autobuzin. Shkova dhe sivjet, thanë nuk ka. Hajde me furgonat që janë lart, ata janë privat dhe vinë të mbushur, që fëmijët shtypen….Vendosa t’i çoj në këmbë.

Gazetarja: Si ia bëni se sot është kohë e bukur me diell, por në shi, dëborë?

Ryzhdie: Ja kështu, në shi në dëborë, me çizme, ndonjëherë s’i çoj…

Gazetarja: Po lekët e transportit?

Ryzhdie: Lekët e transportit deri tani nuk i kemi marrë..

Gazetarja: Jemi ende në fillim të vitit shkollor, mendoni që do ta përballojnë këtë rrugë në këmbë, mbi një orë?

Ryzhdie: Fare, nuk e besoj, do t’i mbaj në shtëpi, prandaj ju drejtova juve që të më ndihmoni..

Gazetarja e “Stop” bëri një ditë rrugën me zonjën Ryzhdie dhe fëmijët e saj dhe kjo ishte një eksperiencë e lodhshme. Por fëmijët, të shoqëruar nga nëna e tyre, e bëjnë dy herë në ditë këtë rrugë.

Në Zyrën Arsimore të Elbasanit thanë që pagesat e transportit janë me vonesë. Vetëm nga zyrat e postës, këto para janë vonuar 3 muaj.

Punonjësi ZVA Elbasan: Verifiko pak listën e Bradasheshit për fëmijët, Shtator-Tetorin.

Punonjësi ZVA Elbasan: Pra e ke emrin, do shpërblehesh.

Ryzhdie: Po viti shkollor që mbaroi, dy muajt e fundit?

Punonjësi ZVA Elbasan: Maj-Qershorin e kemi kaluar në fillim të Gushtit. Shtator- Tetor akoma s’ka kaluar. Shtator- Tetor kalon tani.

Punonjësi ZVA Elbasan: Drejtoria e shkollës ta ka regjistruar emrin, të të dy fëmijëve. Për periudhën Maj-Qershor do t’i marrësh lekët, sepse i ke në postë. Për Shtator-Tetor do t’i marrësh tani.

Në këtë zyrë thanë që fëmijët e zonjës duhet t’i marrë linja Gracen-Elbasan. Por administratrori i kësaj linje shpjegon se e ka të pamundur të marrë dy fëmijët e Ryzhdies. Mjeti është plot dhe në ato orare nuk kalon asnjë i tillë.

Admnistratori i linjës: Orarin unë e kam të cilësuar nga bashkia. Në 7 fiks, mbërritja në Elbasan në 7;20, 7:25, 7:30..,kur të arrij.

Admnistratori i linjës: O goce! Unë nuk e kam linjën e Fikasit fare. Jam i mbushur. Orarin e drekës e kam në 13:20 nisja nga Zaranika, koinçidoj vetëm orarin e shkollës Petresh dhe Shën Mill, sepse marr e transportoj edhe mësueset edhe këto……

Administratori i linjës: Këto dy fëmijë unë nuk i transportoj dot, sepse nuk më përshtatet orari. A më kupton? Nuk i transportoj dot, se po të kem edhe të tjerë, hajt, se po e çoj një furgon. Po me dy nxënës, s’mundem ta çoj unë një mjet. /tvklan.al