Në programin “Rudina”, në Tv Klan ishin të ftuar dy personazhe që në kuptimin e plotë të fjalës e kanë muzikën në gjak. Ata janë fëmijët e një kompozitori shumë të njohur siç është Alfred Kaçinari.

Bëhet fjalë për Gjergjin, i cili është këngëtar i muzikës rock dhe njëkohësisht ka pasion kitarën dhe Anën që është pianiste.

Ana pak ditë më parë ka sjellë projektin “Elise in Wonderland”, e inspiruar nga vepra e Beethoven, Für Elise. Shtysë për këtë projekt ka qënë pikërisht vëllai i saj Gjergji.

Ana Kaçinari: Është regjistruar në një studio, në një galeri pianosh, pasi gjithë projekti është bërë në izolim, pa publik. Edhe nuk patëm asnjë mundësi, pasi janë të bllokuara të gjitha aktivitetet artistike dhe kështu ka mbetur vetëm televizive.

Gjergj Kaçinari: Jemi munduar ta sjellin në një version, orkestrim epik pak, por edhe alternativ. Edhe fakti që është ndoshta pjesa më e famshme në botë për piano, i lidh të gjitha bashkë dhe e bën akoma më familjare, për njerëzit dhe për këdo që e dëgjon dhe për ata që nuk merren me muzikë.

Në lidhje me marrëdhënien e tyre me babain Alfred Kaçinarin, motër e vëlla u shprehën se babai i tyre është i rreptë dhe i ka rritur me një lloj ftohtësie për sa i përket anës profesionale. Por sipas tyre kjo ka shërbyer për mirë, pasi ata kanë punuar dhe kanë kërkuar edhe më shumë nga vetja.

Ana Kaçinari: Ai është shumë i rreptë dhe kjo gjë dihet, por kjo gjë mendoj se na ka shërbyer për mirë padyshim. Na ka rritur me një lloj ftohtësie, po flas për pjesën profesionale, jo si këta prindërit që entuziasmohen shumë për gjërat që bëjnë fëmijët. Ka qenë shumë kërkues, sidomos ndaj meje se kam qenë dhe fëmija i parë, por edhe ndaj Gjergjit. Megjithatë kjo gjë na ka bërë mirë padyshim, kemi kërkuar edhe ne shumë nga vetja. Ndoshta më shumë seç duhet me raste, por arti është i tillë, nëse nuk mundohesh për më të mirën e ke shumë të vështirë terrenin dhe vazhdimësinë.

Rudina Magjistari: Këshilla që e mbani vath në vesh të dy prej tij?

Gjergj Kaçinari: Mos u merr me budallalliqe. Fjalia më e dëgjuar nëpër shtëpi.

Ana Kaçinari: Ka kërkuar gjithmonë që të kemi diçka konkrete. Mos humbje kohe./tvklan.al