Shkak mungesa e trajnimit për integrimin në shoqëri

Fëmijët e kthyer muaj më parë nga zonat dhe kampet e ISIS-it në Siri e Irak, megjithatë sot nuk  janë ulur në bankat e shkollave në Kosovë bashkë me fëmijët e tjerë.

Kjo për shkak se kanë nevojë për trajtime shtesë në mënyrë që të kenë më lehtë integrimin në shoqërinë të cilës i përkasin.

Ata mësimin do të nisin në mënyrë graduale”, shprehet ministri i Arsimit.

Por ministri në detyrë  i Drejtësisë, Abelard Tahiri, thotë të kundërtën. Ai nëpërmjet një komunikate ka uruar nxënësit e kthyer nga Siria fillimin e vitit shkollor. Ai ka thënë se me kthimin e tyre, në bankat shkollore “kemi vendosur një standard të ri në rafshin global”.

Janë gjithsej 38 fëmijë nga 74 të kthyer që sivjet pritet të ulen në bankat shkollore.

Dy fëmijë janë të moshës 16-vjeçare që ndjekin mësimet joformale, 22 të moshës mbi 6 vjeç që fillojnë nga klasa e parë, 5 fëmijë në arsim parashkollor ndërsa 9 të tjerë në kopshte.

Gjatë gjithë verës, Ministria e Punëve të Brendshme është marrë me integrimin e 74 fëmijëve të kthyer nga zonat e luftës, Siria dhe Iraku në mënyrë që të kenë më të lehtë edhe përballjen e tyre me procesin mësimor.

Pas kthimit në mësim të fëmijëve të kthyer nga vatrat e luftës si Siria e Iraku, sfidë tjetër për institucionet e Kosovës do të jetë me fëmijët, nënat e të cilëve janë në arrest shtëpiak dhe nuk mund t’i shoqërojnë fëmijët e tyre në shkollë.

Tv Klan