Sallabanda: Kjo është vërtetuar shkencërisht

Mjeku Kita Sallabanda në studion e “Opinion” tha mbrëmjen e kësaj të mërkure se shkencërisht është vërtetuar se fëmijët që lindin nga nënat e vaksinuara kanë antikorpe, pra lindin me mbrojtje ndaj Covid-19


A duhet të vaksinohen gratë shtatzëna dhe a ndikon vaksina në problematikën e mëtejshme të grave që planifikojnë të kenë një lindje në të ardhmen?

Nuk kemi akoma të dhëna që vërtetojnë çdo të ndodhë në të ardhmen me fëmijët, sepse jemi në një fazë fillestare të studimit, nuk mund të vërtetojmë atë gjë në mënyrë shkencore dhe derisa nuk mund të bëjmë këtë nuk mund ta themi se çfarë do të ndodhë me këta fëmijë, sepse në fakt tani kemi filluar të vaksinojmë gratë. Po të kthehemi te gratë shtatzëna, unë dua të raportoj një studim të British Medical Journal; rekomandohet që të bëhet vaksinimi tek gratë shtatzëna, sepse nëpërmjet transmetimit të gjakut, antikorpet që zhvillohen tek gratë, i transmetohen edhe tek fëmijët. Pra rekomandohet që të bëhet, sepse kjo mbrojtje që merr nëna, i transmetohet edhe fëmijës. Këtë gjë e thotë një studim shumë i rëndësishëm. Unë mendoj që duhet të rekomandohet që të bëhet, se çfarë do të ndodhë me fëmijët nuk kemi të dhëna shkencërisht të bazuara për të vërtetuar se çfarë do të ndodhë. Kemi parë, dhe kjo është vërtetuar shkencërisht, që fëmijët që lindin nga nëna që iu është bërë vaksina, janë me antikorpe dhe me mbrojtje nga Covid-19, kjo është e vërtetuar.  

Po sa i përket atyre që duan të kenë fëmijë?

Ky është debati i madh. Asnjëri nga ne sot e kësaj dite nuk është në gjendje të thotë se çfarë efekti afatgjatë ka vaksina dhe çfarë problemi mund të kemi, sepse nuk kemi bërë ende 1 vit. Do të ishte të abuzosh nga pikëpamja shkencore të thuash çfarë do të ndodhë pas 5 vitesh. Por të dhënat eksperimentale deri tani janë në favor të procesit të vaksinimit edhe për ato vajza që duan të jenë nëna të ardhshme, tregojnë që nuk do të kenë asnjë problem për çështjen e bërjes së fëmijëve, apo për të lindur fëmijë me probleme. E po ashtu sipas të dhënave që kemi sot, nuk ka probleme për lindjet./tvklan.al