“Fëmijët le ta ndihmojnë nënën, por jo të mbledhin plehra e të lypin”, Anxhela: Nuk më pyesin


“Fëmijët le ta ndihmojnë nënën, por jo të mbledhin plehra e të lypin”, Anxhela: Nuk më pyesin

16:35 25/09/2022

Nga surpriza e rezervuar për Marsin dhe Ledionin prej Anxhelës në “Ka Një Mesazh Për Ty” dalin në pah disa probleme të forta. Marsi thotë gjatë programit “E diela shqiptare” në Tv Klan se është kundër punës që familja e Anxhelës bën nëpër koshat e mbeturinave apo lypjes sepse nuk është e mirë për asnjërin prej tyre. Dy prej fëmijëve të Anxhelës janë të sëmurë dhe Marsi është dakord me pjesën që familja ka nevojë për paa, por duhet një mënyrë tjetër për t’i siguruar.

Marsi: Tani ku qëndron problemi tek fëmijët e Anxhelës specifikisht? Në qoftë se Anxhela do shiste, nuk e di, zarzavate, le të qëndrojë fëmija atje, nuk ka problem, të shiste lule, sikurse shesin shumë persona në rrugë. Nuk ka problem, le të qëndrojë fëmija dhe le ta ndihmojë mamanë, por jo që të shkojë të mbledhë e të riciklojë.

Ardit Gjebrea: Dhe jo vetëm, por edhe të lypë.

Marsi: Absolutisht, edhe të lypë. E para e punës, rrezikon veten njëherë sepse të gjithë e dimë që mbeturinat bartin lloj-lloj sëmundjesh. Tani,  si do shërohet ai fëmijë në qoftë se ai i jep një dozë të mirë mikrobesh atij sistemi imunitar? Shtoji asaj edhe pjesën e mungesës së ushqimeve cilësore, shtoji  edhe ndonjë dozë sheqeri dhe pastaj ja ku e ke, çfarë pret pastaj, normale që do ketë sëmundje dhe problematika nga më të ndryshmet lidhur me shëndetin.

Anxhela: Kjo puna e plehrave duket sikur ne i kemi aq qejf plehrat…

Ardit Gjebrea: Jo, nuk është problemi aty, është çështje të ardhurash, unë e kuptoj.

Anxhela: Kjo situatë që dalim ne të riciklimit, e di ça problemi është më i madh? Që neve na na ndikon më shumë?  Është kjo, që të ra një hall, një sëmundje, nuk të kërkon një llogari si puna e pronarit që të thotë “hajde në punë”. E lashë, ika. Kjo është  situata e këtyre plehrave që ne punojmë në këtë.

Më tej, Anxhela shton se fëmijët nuk e dëgjojnë dhe sërish dalin në rrugë për të lypur e kërkuar në kosha. Nga ana tjetër, Marsi i jep shembuj se si duhet të veprojë që ata t’i binden nënës së tyre dhe  të braktisin rrugën./tvklan.al












Të ngjashme