Fëmijët migrantë në SHBA, në kushte alarmante




Fëmijët migrantë në SHBA, në kushte alarmante

23:20 23/06/2021

Gjatë javëve të fundit janë raportuar edhe raste të abuzimit seksual si dhe janë përhapur sëmundje të tjera

Në një qendër strehimi në shkretëtirën Texan në SHBA, fëmijët migrantë po jetojnë në kushte alarmante. Përpos COVID-19 janë përhapur edhe sëmundje të tjera në disa kampe. Sipas asaj që raporton “BBC”, javët e fundit janë identifikuar gjithashtu raste të abuzimit seksual ndaj fëmijëve.

Kampi i vendosur në bazën ushtarake Fort Bliss në El Paso, Texas, është shtëpia e përkohshme për mbi 2,000 fëmijë të mitur, të cilët kanë kapërcyer vetëm kufirin SHBA-Meksikë dhe tani po presin ribashkimin me familjen në SHBA.

Gjatë një hetimi është identifikuar mungesa e shërbimit mjekësor dhe një pjesë e madhe e fëmijëve kanë rezultuar pozitiv me COVID-19. Kampi Fort Bliss përbëhet nga të paktën 12 çadra, disa prej të cilave strehojnë qindra fëmijë njëkohësisht. 

Fëmijët e kalojnë pjesën më të madhe të ditës në çadra, duke dalë për një ose dy orë argëtimi, ose të rreshtohen me qindra të tjerë për një konsumuar një vakt. Departamenti i Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore (HHS), i cili punëson kontraktorë privatë për të ndihmuar në drejtimin e kampit, thotë se ai është i përkushtuar për transparencë.

Në muajt e fundit, SHBA ka parë një rritje masive të migrantëve dhe azilkërkuesve nga Amerika Qendrore. Dhuna, katastrofat natyrore dhe ekonomia e dobët të lidhura me pandeminë janë disa nga arsyet që qëndrojnë pas fluksit. Mbi një milionë migrantë janë përpjekur të kalojnë në SHBA këtë vit,  pothuajse dy herë më shumë se vitin e kaluar.

Klan News





Të ngjashme