Psikologët-prindërve: Mos neglizhoni kohën që fëmijët kalojnë në internet

Për të patur nën kontroll se çfarë shohin fëmijët në internet, shumë pak prindër e dinë se ekzistojnë “Google Kids” dhe “Youtube Kids” për të mbrojtur këtë grupmoshë nga materialet e papërshtatshme. Psikologia Lorela Garuli thotë se në epokën në të cilën jetojmë, mjafton të marrim informacionet e duhura.

“Rrjetet sociale siç ka qenë Tik Tok-u, por dhe lojëra të tjera që janë bërë virale, kanë disa sfida që janë shumë negative dhe shumë të rrezikshme. Në nivelin nga më e lehta deri tek më e vështira, fëmija apo adoleshenti duhet të lëndojë veten sepse nëse nuk e bën përjashtohet nga loja, nuk është i mirë mjaftueshëm dhe për adoleshentin është shumë problem, pranimi i grupit prandaj  funksionojnë këto. Elementi tjetër që është i rrezikshëm, më pak i rrezikshëm por është më i përhapur, është pjesa e bullizmit online, e ngacmimeve”, ka thënë psikologia Lorela Garuli.

Pavarësisht përpjekjes së prindërve, ndikimi i shoqërisë është i pashmangshëm. Lojrat me sfida dhe bullizimi në rrjet mbeten ndër rreziqet kryesore.

“Çdo telefon e ka atë opsion, opsionin e kontrollit prindëror. Madje është edhe Youtube Kids për fëmijë, është Google Kids, shumë pak njerëz e dinë dhe e aksesojnë, pra është mungesa e informacionit. Prindi është përgjegjës me pasivitetin e tij, nuk është përgjegjës direkt mendoj unë. Është shoqëria problemi më i madh që kanë fëmijët, adoleshentët me njëri-tjetrin. Ka raste shumë të rralla që një prind ka bërë atë opsionin e kontrollit dhe fëmija duhet të rrinte 2-3 orë në telefon”, ka thënë psikologia.

Sipas psikologëve angazhimi i fëmijët në kurse të ndryshme, nuk mbetet zgjidhja ideale për të qenë sa më larg rrjeteve sociale.  

“Ka raste që axhenda e fëmijës bëhet më e zënë se axhenda e një të rrituri dhe fëmija frustrohet shumë dhe ajo që ndodh është që… Unë do pyesja që a do fëmija të bëjë këtë kurs, të shkojë dhe në not, dhe në kitarë, të shkojë dhe në pikturë, të shkojë dhe në anglisht, apo do prindi një fëmijë që t’i bëjë të gjitha këto?”, ka përfunduar Garuli.

Aksesi i pakontrolluar në rrjetet sociale, ka shkaktuar edhe viktima te grupmosha adoleshente nëpër botë, por episode të tilla nuk kanë munguar as në vendin tonë.

Klan News