Konsulli i Shqipërisë në Liban, Marc Ghorayeb, rrëfeu detaje rrëqethëse që i ka parë vetë nga kampi i Al Hol-it në Siri. Ghorayeb tha se brenda kampit ka njerëz të racave, gjinive dhe moshave të ndryshme, duke ia nisur nga foshnja të moshës 1 vjeç deri tek femrat 80-vjeçare.

Konsulli u shpreh se njerëzit atje janë pa këpucë, femrat janë të gjitha të veshura me të zeza dhe mbajnë thika në duar. Ghorayeb u shpreh se futja e ekipit brenda në kamp për nxjerrjen e shqiptarëve u bë me ndihmën e disa forcave speciale.

Shumë njerëz janë kureshtarë mbi operacionin e fundit ne “Al Hol Camp”. Si nisi ky operacion dhe cilat ishin hapat e parë të tij?

Dua të them diçka. Raste të tilla nuk janë të lehta, sepse janë të përfshirë shumë palë, shumë kanale, njerëz të besueshëm dhe mbështetës. Nuk duhet të krijohen kontradikta midis tyre. Përkundrazi duhet të lidhen për hir të rasteve, misioneve humanitare. Këtë vit kam marr urdhër nga qeveria, nga Edi Rama, nga ministri i Jashtëm dhe ai i Brendshëm. Për shkak të Covid-it janë vonuar shumë operacione. Jemi lidhur me kanale dhe rrugë që kemi përdorur më parë. Po ashtu bashkë me Endri Dodën dhe Gledis Nanon.

Cilat ishin hapat e parë, si nisi e gjithë kjo?

Qeveria mori vendimin për të rikthyer fëmijët, por nuk mund të duartrokasësh veç me njërën dorë, pra, nuk bëhen gjërat vetëm. Nuk mund të luhet një lojë pa pajisjet e nevojshme. Këto mjete mua m’i dha Edi Rama.

Cilët janë partnerët e përfshirë në këtë operacion?

Kemi akoma shumë njerëz për të evakuuar dhe s’mund t’i përmend të gjithë, por po përmend Gjeneralin Abaskues, Engjëllin Mbrojtës, siç e quaj unë. Ai ka ndjekur çdo gjë, çdo ditë, ishte edhe në USA ku takoi drejtorin e CIA-s dhe ai ka marrë edhe medalje për operacione të tilla. Kemi edhe mbështetjen e qeverisë siriane, në Kamishli Këshillin e Sirisë verilindore. Kemi qëndruar 4 netë atje, në një zonë disi të sigurt, transportin e sigurt deri në kampin “Al Hol” të cilin unë e quaj “Al Hell” sepse është vërtet një ferr atje. Vetëm me mbështetjen dhe sigurinë e Këshillit arritëm të shkonim nga baza në kamp, sepse ishte një lëvizje shumë e rrezikshme.

Si ishte situata brenda në kamp?

Brenda në kampin e ferrit mund të shohësh njerëz të racave, gjinive dhe moshave të ndryshme, duke ia nisur nga foshnja të moshës 1 vjeç deri tek femrat 80-vjeçare. Janë pa këpucë, femrat janë të gjitha me të zeza dhe me thika në duar. Kishim me vete sigurimin dhe kjo ishte arsyeja që s’mund të na afroheshin e të na qëllonin. Kishim sigurimin me vete për të hyrë edhe me forcë në kamp.

Sa njerëz kishte brenda në kamp, nga operacioni?

Isha unë, Endri Doda, Gledis Nano që të gjithë i njohin tashmë dhe kishim me vete 25 roje, forca speciale./tvklan.al