Uzuni i shënon Juves në Champions

Ferencvaros e humbi 2 – 1 sfidën me Juventus në Torino, por shqiptari Myrto Uzuni la shenjë në përballjen e luajtur të martën e vlefshme për javën e katërt të Champions League.

Sulmuesi i skuadrës hungareze shënoi një gol të bukur me kundërsulm, duke festuar si Cristiano Ronaldo përballë tij. Portugezi barazoi rezultatin po në pjesën e parë, ndërsa Morata i dha fitoren Juventus në çastet e fundit të takimit, duke kaluar në fazën tjetër.

Edhe Barcelona, Chelsea dhe Sevilla e siguruan kalimin në turin pasardhës pas fitoreve në fushë kundërshtare. Barça mundi 4 – 0 Dynamo Kiev. Chelsea fitoi 2 – 1 me Rennes dhe me të njëjtin rezultat Sevilla triumfoi ndaj Krasnodar.

Paris Saint Germain mori 3 pikët me suksesin 1 – 0 ndaj Leipzig e vendosur nga penalltia e Neymar në minutat e para të lojës. Manchester United arriti një fitore me vlerë 4 – 1 ndaj Basaksehir. Lazio mundi me rezultatin 3 – 1 Zenit. Borussia Dortmund fitoi 3 – 0 me Club Brugge.

Tv Klan