Kokëkuqja me ide të qarta


Ferrari është skuderia e fundit e Formula 1 që prezanton makinën e vitit 2021. Dy ditë nga nisja e testeve zyrtare të Formula 1, që do të zhvillohen më datat 12-14 Mars në Sakhir (Bahrein), Ferrari ka zbuluar për fansat njëvendëshen me të cilën do të garojë këtë sezon. “Kokëkuqja” e këtij viti quhet SF21 dhe do të pilotohet nga Çarls Leklerk e spanjolli Karlos Sainz. Edhe këtë vit ceremonia u krye online, nga Maranello dhe pa praninë e spektatorëve në sallë për shkak të pandemisë.

Një makinë që pritet të jetë më e fuqishme nga ajo e sezonit të kaluar, ku Ferrari u klasifikua në vendin e gjashtë. Pritet që motorri i këtij sezoni të ketë disa kuaj më shumë fuqi dhe një paketë aerodinamike më të mirë. Në fakt, nuk pritet që makina e këtij viti të duelojë për titull, pasi Mercedes është ende superiore. Te “kokëkuqja” synojnë një vend në podium, duke shfrytëzuar çdo mundësi. Ndërkohë që, investimi më i madh po kryhet te njëvendëshja e vitit 2022, kur do të aplikohen edhe rregullat e reja.

Ndërkohë, e gjithë skuadra Ferrari do të kryejë vaksinën anti-Covid në Bahrein. Drejtuesit e “kokëkuqes” kanë pranuar ofertën që ka bërë shteti arab, për të vaksinuar falas të gjithë ata që dëshirojnë, stafet e skuadrave të Formula 1, në prag të garës së parë sezonale që do të zhvillohet në pistën e Sakhir, më 28 Mars. Formula 1 pati refuzuar ofertën që erdhi javën e kaluar nga Bahrein, por duket se Ferrari ka tjetër mendim.

Vaksinimi do të nisë që këtë javë, pasi në pistën e Sakhir do të zhvillohen 3 ditë teste. I gjithë stafi do të qëndrojë aty gjatë kësaj periudhe 2-javore dhe koha për të marrë edhe dozën e dytë është e mjaftueshme (10 dhe 28 Mars).

Klan News