“Ku ka zë nuk është pa gjë” thotë populli, dhe në fakt kjo ndodhi edhe me pilotin Carlos Sainz. Spanjolli është tashmë piloti më i ri i Ferrarit.

Largimi i Sebastian Vettel nga skuderia e kuqe përshpejtoi gjërat në atë mënyrë që ëndrra e Sainz të mund të realizohej. Piloti i Mclaren firmosi një kontratë 2-vjeçare me kokëkuqen, dhe do të jetë një shofer i saj duke nisur nga edicioni i ardhshëm i vitit 2021.

Për faqen zyrtare të Ferrarit, Sainz u shpreh mjaft i entuziazmuar për marrëveshjen me kokëkuqen dhe se po e pret me padurim pilotimin e njëvendëshes italiane.

Marrëveshje historike kjo, që së bashku me Charles Leclerc do të formojnë çiftin me moshën më të re tek Ferrari në 50 vitet e fundit tek skuderia italiane.

Në linjë për të zëvendësuar Sebastian Vettel ishin emra më të rëndësishëm se Sainz, si Ricciardo dhe Hamilton, por 5 sezonet si protagonist me skuderi të cilësuara të vogla në Formula 1, si Toro Rosso, Renault dhe McLaren bindën drejtuesit e Ferrarit që të realizojnë ëndrrën e Sainz.

Deri më tani, 25-vjeçari ka zhvilluar 102 çmime të mëdha në Formula 1, me rezultatin më të mirë që e arriti edicionin e shkuar, ku u ngjit në podium në garën e Brazilit.

Klan Plus