Presidenti Ilir Meta mori pjesë sot paradite në pelegrinazhin në malin e Tomorrit, ku përshëndeti Festën e shenjtë Bektashiane të Abaz Aliut.

Në prani të Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, Haxhi Baba Edmond Brahimaj dhe mijëra besimtarëve bektashianë, Presidenti Meta vlerësoi pelegrinazhin e përvitshëm madhështor në malin e Tomorrit, ndërsa foli edhe për figurën e jashtëzakonshme të Abaz Aliut, që edhe sot e kësaj dite vazhdon të frymëzojë brezat e rinj dhe besimtarët bektashinj.

Në fjalën e tij, Kreut i Shtetit theksoi:

“Abaz Aliu zu’ Tomorr,

Erdhi afër nesh,

Shqipëria s’mbet e gjorë,

Se Zoti e desh”.

Me këto vargje gdhendi dashurinë e të gjithë shqiptarëve dhe adhurimin, që vazhdon edhe sot e kësaj dite, poeti i madh i Rilindjes sonë Kombëtare, Naim Frashëri për martirin e Qerbelasë, Abaz Aliun.

Këto vargje të cilat janë të gdhendura edhe atje lart në majën më të lartë të Malit të Tomorrit në radhë të parë janë të gdhendura në shpirtin e çdo besimtari bektashian. Ishe koha kur kërkohej një fuqi e mbinatyrshme për të përballuar të keqen, dëshpërimin, për të përballuar përçarjen dhe për të vendosur themelet e një Rilindjeje Kombëtare që do të sillte shpëtimin e Shqipërisë dhe të kombit shqiptar.

Ndaj dhe jo rastësisht poeti ynë i madh Naim Frashëri shkroi me kaq adhurim, pasion dhe frymëzim për figurën e mbinatyrshme të Abaz Aliut.

Dhe sot e kësaj dite ne shohim me kënaqësi se madhështia e veprës të jashtëzakonshme në dobi të njerëzimit dhe të vlerave më të larta dhe të përjetshme njerëzore të Abaz Aliut i tërheq si një magnet besimtarët shqiptarë dhe nga e gjithë bota në këtë mal të shenjtë.

Bektashizmi që si devizë të tij ka pasur gjithmonë “Pa atdhe nuk ka fé” është në radhë të parë një përkushtim ndaj atdheut, ndaj kombit, është një shërbim për bashkëjetesën, për tolerancën, për bashkëpunimin në shërbim të një çështjeje më të madhe e që na bashkon të gjithëve. Ndaj ne jemi sot këtu për t’u përkulur me respektin më të thellë për të gjithë veprën që ka realizuar e vazhdon edhe sot e kësaj dite, Kryegjyshata Botërore e Bektashinjve në Shqipëri, pavarësisht nga sfidat e shumta.

“Bota nuk u takon atyre që ngrohen, por u takon atyre që digjen”. Këto fjalë të një figure të shquar shqiptare, të shkruara pikërisht kur ishte në burg, më shkojnë ndërmend kur flasim për figurën e Abaz Aliut, të misionarit, i cili u dogj, u sakrifikua për të ndriçuar njerëzimin dhe për të ngritur në qiell vetitë dhe vlerat më të mira njerëzore, për të cilat kemi nevojë sot aq shumë.

Ndaj jam shumë i kënaqur që shikoj një pjesëmarrje mjaft të gjerë në këtë pelegrinazh dhe ky është tregues dhe i adhurimit për këtë figurë të jashtëzakonshme, frymëzuese edhe në ditët tona, që u jep të gjithëve forcë për të përballuar vështirësitë e sfidat.

Njëkohësisht është edhe një mundësi që duke ardhur këtu të kujtojmë edhe njerëzit tanë të dashur, të kujtojmë edhe ata të cilët janë në gjendje të vështirë, që kanë nevojë për ndihmën tonë, që të ndjejnë mbështetjen dhe solidaritetin e shoqërisë sonë.

Sepse kjo shoqëri mund të ketë të ardhme vetëm bazuar në këto vlera shumë të fuqishme njerëzore e shoqërore për të cilat u sakrifikua Abaz Aliu dhe mjaft figura të tjera.

Kemi nevojë ta duam njëri-tjetrin më shumë dhe t’i japim edhe më shumë shpresë, besim dhe durim të rinjve dhe të rejave tanë në mënyrë që ata ta shikojnë të ardhmen në këto vise të mrekullueshme ku mundësitë për zhvillim janë shumë më të mëdha. Dhe për këtë na duhet t’u kthehemi gjithmonë atyre vlerave që e mbajnë një familje, që e mbajnë një komb, që e mbajnë një shoqëri të fortë, të shëndetshme dhe shpresëdhënëse sidomos për gjeneratat më të reja.

Duke falënderuar Kryegjyshin Botëror, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, për ftesën dhe për këtë organizim të veçantë ju uroj të gjithë besimtarëve fat, mbarësi! Na ndihmoftë të gjithë shqiptarëve Abaz Aliu për një të ardhme më të mirë dhe për të qenë gjithmonë të bashkuar në paqe dhe begati!”