Me mijëra tifozë të Atletico Madridit u mblodhën në mbrëmjen e djeshme në qendër të kryeqytetit spanjoll për të festuar fitimin e titullit kampion. Autoritetet u bënë thirrje tifozëve që të shmangnin grumbullimet si pasojë e rrezikut të pandemisë, e megjithatë gëzimi i madh bëri që kërkesa të shkonte në vesh të shurdhër.

Por mbrëmja u kthye në tragjedi për popullin bardhekuq. Një djalë vetëm 14 vjeç humbi jetën pasi u rrëzua dhe përplasi kokën në një parkim në “Plaza de Santa Ana”, ndërsa festonte nga një dritare e një makine.

Por për urgjencën e Madridit, mbrëmja e djeshme ka qenë mjaft e lodhshme. Të shumtë kanë qenë të dëmtuarit, ndërsa 34 tifozë u paraqitën për t’u mjekuar. Ata kishin pësuar dëmtime si pasojë e rrëzimit, goditjeve, prerjeve dhe intoksikimit nga alkooli. Shtatë prej tyre u shtruan në spital.

Grumbullimi i madh në shatërvanin e Neptunit, vendi ku tifozët e Atletico-s mblidhen kur fitohen trofe, ka shqetësuar autoritetet. Mosrespektimi i distancës e ka shtuar frikën se numri i të infektuarve me Covid-19 mund të shtohet.

Atletico Madrid fitoi titullin kampion për herë të 11 në historinë e vet, pasi një sezoni të luftuar deri në ndeshjen e fundit.

Klan News