Në New York u organizua një mbrëmje vërtet gala dedikuar një prej personaliteteve më të njohur dhe që ka kontribuar në kulturën e vendit tonë. Para pak ditësh Fadil Berisha festoi përvjetorin e 65-të të ditëlindjes. Në nder të karrierës së tij u organizua një festë madhështore ku bëri bashkë shumë figura të njohura të Shqipërisë dhe Amerikës.
Festa e tij u organizua mbrëmjen e 2 Prillit në një prej vendeve më njohura në New York. Në një tapet të kuq, i cili ngjasonte me atë të festave më të mëdha botërore, kaluan shumë personalitete të njohura mes tyre Fotini Allteni Kokeri dhe sopranoja Inva Mula. Në fakt ato kanë qenë vetë ideoret e kësaj feste.
Në studion e “Rudina” në Tv Klan, Fotini Allteni Kokeri tregon raportin e ngushtë me fotografin e njohur dhe ndihmën që ai i ka ofruar gjatë kohës së vështirë kur ajo u shpërngul për herë të parë në SHBA. Megjithatë gjatë programit Fotinia dhe Inva Mula u surprizuan nga vetë Fadil Berisha me një videomesazh surprizë, i cili i falenderoi për festën madhështore që u organizua për punën dhe figurën e tij, me rastin e përvjetorit të ditëlindjes.
“Përshëndetje Rudina nga New York, të falenderoj nga zemra për mesazhin e bukur që më dërgove. Foti të falenderoj nga zemra për gjithë atë punë të palodhur që ke bërë, ku artistë nga e gjithë bota erdhën për ditëlindjen time. E di që nuk ka qenë kollaj me shpenzime të mëdha, prandaj të falenderoj nga zemra. Inva të falenderoj shumë për atë mbrëmje të bukur dhe artistike që bëre si artiste, kur performove edhe vetë. Na kënaqe të gjithë neve dhe të gjithë amerikanët. Falenderoj po ashtu të gjithë ata që morën pjesë. Nuk do të harrohet kurrë kjo mbrëmje”, tha Fadil Berisha./tvklan.al