Një festë me muzikë të lartë pas mesnate u bë shkak për të shtëna me armë zjarri mbrëmjen e shkuar në Shkodër. Ngjarja ndodhi rreth orës 00:30, në lagjen “Partizani”. Gazetarja Emi Kalaja raporton se protagonist ishte 83-vjeçari Fasli Hyka, i cili i bezdisur nga zhurma e lokalit poshtë shtëpisë së tij, mori kallashnikovin dhe doli në ballkon.

Nga kati i pestë, armën e drejtoi nga disa të rinj që ndodheshin poshtë. Fatmirësisht plumbat nuk kapën njeri. Pasoja pati vetëm një automjet që ndodhej i parkuar në zonë…


E pasi qëlloi me armë, i moshuari u fut brenda në shtëpi. Nga aty kundërshtoi oficerët e policisë që u njoftuan pas të shtënave. Rezistenca e 83-vjeçarit zgjati deri në orën 02:00. Më pas ai u shoqërua nga oficerët e policisë, të cilët siç shihet edhe në këto pamje ushtruan forcë për të hyrë në banesë.


Në një njoftim për mediat, policia e Shkodrës tha se i moshuari kërcënoi po ashtu me jetë edhe efektivët.

“Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër kanë konstatuar në mesnatë, se një shtetas po qëllonte me armë gjahu, nga ballkoni i banesës së tij në një pallat në lagjen “Partizani”, në drejtim të automjeteve të parkuara. Menjëherë u organizua puna, u bë rrethimi i zonës për të mos kaluar automjete dhe këmbësorë, si dhe iu bë thirrje autorit, të mos qëllonte dhe të dorëzohej. Autori nuk iu është bindur thirrjeve të Policisë, por është futur në banesë, ka mbyllur derën dhe ka kërcënuar për vrasje, punonjësit e Policisë, në rast se do të futeshin në banesë. Ndodhur në këto kushte, në ndihmë të policisë vendore, kanë shkuar Forcat Kombëtare të Sigurisë. Pas ndërhyrjes së specializuar kanë bërë të mundur neutralizimin dhe vënien në pranga të Fasli Hykës 83 vjeç, banues në Shkodër. Në vijim të veprimeve, shërbimet e Policisë sekuestruan 1 armë zjarri kallashnikov, 1 armë gjahu dhe municion luftarak”.


Gazetarja Kalaja thotë se i moshuari dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor dhe jetonte me bashkëshorten e sëmurë./tvklan.al